Një raketë SpaceX Falcon 9 është nisur më 11 dhjetor nga Stacioni i Forcave Hapësinore Cape Canaveral në Florida, duke transportuar në hapësirë anijen e parë hënore të ndërtuar ndonjëherë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
CNN shkruan se, Rashid Rover u ndërtua nga Qendra Hapësinore e Dubait Mohammed bin Rashid (MBRSC), në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe po dorëzohet raketa HAKUTO-R, e ndërtuar nga kompania japoneze e eksplorimit hënor, ispace.
Nëse ulja rezulton e suksesshme, HAKUTO-R do të bëhet gjithashtu anija e parë komerciale kozmike që do të bëjë një ulje të kontrolluar në Hënë.
Raketa është duke udhëtuar për në Hënë me energji të ulët dhe pritet që të mbërrijë në satelitin tonë natyror rreth prillit 2023.
Pasi të jetë atje, sonda do të kalojë një ditë hënore (ekuivalente me 14.75 ditë në Tokë) në sipërfaqe, duke kryer operacionet e tij kryesore.
Roveri do të kalojë po ashtu një ditë të dytë hënore duke kryer operacione dytësore, për të kontrolluar nëse do t’i mbijetojë mjedisit të vështirë të natës në Hënë, përpara se të çmontohet.
Ndërsa pritet që të prekë pjesën verilindore të hënës në kraterin e Atlasit, Rashid Rover është ndërtuar në mënyrë të tillë që t’i bëjë ballë natës hënore, kur temperaturat mund të arrijnë deri në -183°C.
Rashid Rover, që e ka marrë emrin e të ndjerit Sheik Rashid Al Saeed, ish-sundimtarit të Dubait, do të analizojë plazmën në sipërfaqen hënore dhe do të kryejë eksperimente për të kuptuar më shumë rreth pluhurit hënor.
Grimcat e pluhurit hënor të mprehta si brisk mund të ngjiten dhe të gërryejnë kostumet dhe pajisjet e hapësirës, duke shkaktuar probleme operacionale për astronautët.
Roveri do të jetë tërësisht me energji diellore dhe i pajisur me katër kamera, duke përfshirë një mikroskopike dhe atë termike.
Nisja vjen menjëherë pas misionit hënor Artemis I të NASA-s dhe shënon hapin e parë në programin ambicioz të eksplorimit të Hënës në Emiratet e Bashkuara Arabe./Opinion.al