Derbi i kryeqytetit shquhet për rivalitetin e madh mes dy tifozërive, por në përgjithësi është vënë re që antagonizmi, inati dhe sharjet mes palëve mbeten brenda kontureve të stadiumit, pa u transmetuar në jetën e përditshme. Kjo frymë pritet të karakterizojë edhe derbin e 145të, ku Tirana është pritëse në “Selman Stërmasi”. Por prej kohësh bardheblutë nuk i kanë mirë punët me tifozërinë, kryesisht me grupimin ultras, “Tirona Fanatics”.
Rezultatet jo të mira në kampionat dhe mungesa e fitores në tetë ndeshjet e fundit derbi mund të sjellë trazira në rast të një tjetër dështimi në takimin e sotëm. Në ambientet e ndryshme futbollistike, por edhe në faqe tifozësh në internet qarkullojnë zëra se mund të ketë trazira në derbin e sotëm. Mësohet se në rast se Partizani shënon i pari ndaj Tiranës, nuk përjashtohet mundësia që ultrasit bardheblu ta shfryjnë dufin e tyre duke zbritur në fushë. Mësohet se forcat e rendit janë në dijeni të këtij lajmi dhe kanë filluar të merren masat parandaluese.