Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës është ndeshja më zjarrtë e Superligës shqiptare e cila merr më shumë vëmendje jo vetëm për rivalitetin mes dy ekipeve në fushë por edhe jashtë saj.
Takimi do të zhvillohet në stadiumin e ri “Air Albania” në orën 17:00 dhe Policia e Shtetit ka hartuar planin e masave për mbarëvajtjen e sigurisë dhe rendit.
Pjesë e këtyre masave do të jetë bllokimi nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes i rrugëve në Sheshin “Nënë Tereza”, një pjesë të segmentit të rrugës “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, përreth stadiumit “Air Albania” si dhe do të kufizohen rrugëkalimet gjatë kohës së kalimit të tifozëve të Partizanit dhe Tiranës.
Për tifozët e Partizanit policia njofton që do të grumbullohen tek 21 Dhjetori dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi “Air Albania” nga: 21 Dhjetori – ura “Vasil Shanto – kryqëzimi i rrugës “Komuna e Parisit” – rruga “Sulejman Delvina” – Libri Univeristar – Presidenca drejt për tek COIN – Hyrjet tek tribuna N dhe E të stadiumit dhe anasjelltas.
Ndërsa tifozët e Tiranës do të grumbullohen te Teatri i Kukullave dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi “Air Albania” nga Ministria e Brendshme – Pedonalja – rruga “Xhorxh Bush” – Ura e Elbasanit, rruga e “Elbasanit” – Ambasada e SHBA-së – Kthim në rrugën “Dervish Hima – Kthim në rrugën “Sheh Ahmet Pazari” – Tribuna “S” dhe kthim anasjelltas.
“Policia garanton dhe siguron lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.
Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë apo lëndë piroteknike etj ). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.
Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ.
Ndaj shkelësve do të zbatohen me korrektësi dhe përgjegjësi kërkesat e akteve ligjore në fuqi.”, njofton Policia e Shtetit. /Opinion.al