Pas rreth më shumë se 120 minutash pyetje-përgjigje në Kuvend, deputetët demokratë ngelën të pakënaqur me raportimin e kreut të SPAK-ut Altin Dumani dhe shfrytëzuan dy minutëshin që kishin për ta sulmuar kryeprokurorin e posaçëm.
Nga foltorja e Kuvendit, lideri i PD-së, Sali Berisha e quajti mashtrues ordiner që përpiqet të mbrojë Ramën, teksa Altin Dumani ishte larguar pak minuta më parë nga salla.
Sali Berisha: Ju, avoketërit e Dumanit, të kapurit peng të Edi Ramës, nuk duhet të harroni këtu se për qytetarët shqiptarë që vetëm me CEZ-in kanë humbur 630 milionë euro, fatura të certifikuara nga kompani ndërkombëtare, për shkak të pazarit që Edi Rama ka bërë me kompaninë CEZ. Por këto i mbulon Dumani dhe dumanërit. Një mashtrues ordiner që del këtu dhe përpiqet të mbrojë nga flakët e djegësve Edi Ramën, kryeartikektin e tyre. Ai që e pëson nga ky qëndrimi i tij dhe i tyre është qytetari shqiptar, i cili pagoi sa qimet e kokës 400 milionë euro për inceneratorët që nuk kanë as nam as nishan sot.
Jorida Tabaku: Si kryetare e Komisionit Hetimor të inceneratorëve kam sjellë 12 padi të veçanta, duke nisur nga kryeministri Rama. asnjë prej tyre nuk është sot para drejtësisë.
Lucciano Boçi: Kur lexuat pyetjen “pse SPAK e ka shpallur të paprekshëm Edi Ramën”, kjo pjesa këtu (drejtohet nga PS) u gajas shumë. Dhe në fakt më shumë se unë, duhet të shqetësoheni ju pasi nëse ne u akuzojmë se si institucion jeni bërë instrument i pushtetit, këta e dinë shumë mire dhe e besojnë. Nuk e besojnë kurrë që ai kryeministër do vijë një ditë dhe do pyetet atje. Për çështjen e krimit zgjedhor në Shkodër, mu referuat që kam dhënë indicie. Ka ardhur kryetarja e PD-së në SPAK dhe është intimiduar se do akuzohet për kallëzim të rremë. Ndërsa unë u kam kërkuar takim dhe kam marrë përgjigje nga asistentja juaj se “nuk mund t’ju takoj”.
Elda Hoti: Ju thatë se nuk bëni arrestime, po a bashkëpunoni ju me policinë e shtetit? Si ka mundësi që SPAK nuk verifikon rolin e kryeministrit në skemën e pastrimit të parave të karteleve dhe thotë nuk e njeh çështjen “Aruba”. Kjo është kapja e drejtësisë dhe zotit Dumani që nuk guxon të veprojë ndaj ministrave dhe aq më pak kur përmendet kryeministri.
Tedi Blushi: Sot dëgjuam jo një drejtues prokurorie, por një patronazhist në krye të një strukture që ka pasur dhe ka vetëm një qëllim: jo të ndëshkojë korrupsionin dhe krimin, por të godasë pluralizmin politik. Është bërë më shumë se një vit që Ilir Meta ndodhet në izolim ekstrem, i rrëmbyer në mënyrë kriminale për llogari të Ramës.
Klevis Balliu: Duhet të jemi më të sinqertë me qytetarët, të mos themi po hetojmë, por të themi po bëjmë sikur hetojmë që të na rrojë partia dhe të na rrojë qeveria.















