Departamenti Amerikan i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të largohen menjëherë nga Irani.
“Bëni një plan për t’u larguar nga Irani, që nuk mbështetet në ndihmën e qeverisë amerikane. Nëse nuk mund të largoheni, gjeni një vend të sigurt në vendbanimin tuaj ose një ndërtesë të sigurt. Koha po mbaron”, thuhet në mesazhin e DASH drejtuar qytetarëve amerikanë, raportojnë mediat e huaja.
Këto deklarata vijnë mes përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, që po sulmojnë në mënyrë të ndërsjelltë me raketa, dronë dhe avionë njëri-tjetrin.
Po ashtu, Presidenti Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në konfliktin me Iranin.
Ditën e sotme, Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate bëri të ditur se Trump do i japë Iranit 2 javë kohë, para se të vendosë nëse SHBA do të ndërhyjë drejtpërdrejtë në konflikt ose jo.