Ambasada amerikane publikoi mëngjesin e sotëm gjetjet e Raportit për Trafikun e Qenieve Njerëzore për 2018, hartuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në raport thuhet: “Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, është duke bërë përpjekje domethënëse për ta arritur këtë. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit; për pasojë, Shqipëria mbeti në Grupin 2. Qeveria rriti financimet për mbrojtjen e viktimave dhe identifikoi dhe ndihmoi më shumë viktima”.
RAPORTI I PLOTE
SHQIPËRIA: Grupi 2
Qeveria e Shqipërisë nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; megjithatë, është duke bërë përpjekje domethënëse për ta arritur këtë. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit; për pasojë, Shqipëria mbeti në Grupin 2. Qeveria rriti financimet për mbrojtjen e viktimave dhe identifikoi dhe ndihmoi më shumë viktima. Qeveria, në bashkëpunim me OJQ, riaktivizoi njësitë e lëvizshme të identifikimit në tre rajone dhe forcoi mbrojtjen e fëmijëve brenda sistemit të drejtësisë penale. Qeveria po ashtu pranoi një viktimë në programin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Megjithatë, qeveria nuk përmbushi standardet minimale në një numër fushash kyçe. Qeveria vazhdoi të penalizonte viktimat për akte të paligjshme kryer si pasojë e drejtpërdrejtë e nënshtrimit ndaj trafikimit njerëzor.
Qeveria raportoi më pak ndjekje penale dhe dënime, dhe autoritetet vazhduan të hetonin dhe ndiqnin penalisht disa trafikantë për veprën më të lehtë të shfrytëzimit të prostitucionit. Qeveria vonoi financimin për strehat e administruara nga OJQ-të dhe nuk aplikoi me konseguencë hetime dhe ndjekje penale duke pasur viktimën në qendër. Policia nuk identifikoi në mënyrë konseguente viktimat e trafikimit mes individëve në prostitucion dhe inspektoratit të punës i mungonte trajnimi për të identifikuar viktimat e punës së detyruar. Përpjekjet e identifikimit për lypjen e detyruar mbetën të pamjaftueshme, sidomos mes fëmijëve të pashoqëruar, fëmijëve të rrugës dhe fëmijëve që kapërcenin kufirin për të lypur.
REKOMANDIMET PËR SHQIPËRINË
Të zbatohet ligji që përjashton viktimat nga penalitetet për vepra të jashtëligjshme kryer si rezultat i drejtpërdrejtë i nënshtrimit ndaj trafikimit, sidomos viktima të trafikut të seksit shfrytëzuar në prostitucion; të hetojë, ndjekë penalisht dhe dënojë energjikisht trafikantët – përfshi zyrtarë bashkëfajtorë – sipas nenit 110(a) dhe 128(b); të trajnojë hetues, prokurorë dhe gjyqtarë për përqasjen me viktimën në qendër ndaj rasteve të trafikimit dhe të rrisë mbrojtjen e viktimave nga kërcënimet dhe kanosjet gjatë procedurave gjyqësore; të vazhdojë të trajnojë zyrtarë të zbatimit të ligjit, prokurorë dhe gjyqësorë, sidomos prokurorë të rretheve, mbi hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të trafikimit, përfshi udhëzime mbi elementë të mbivendosjes së prostitucionit dhe trafikimit; të alokojë fonde dhe burime të mjaftueshme në mënyrë të rregullt për strehat e administruara nga qeveria dhe nga OJQ-të për viktimat e trafikimit; të përmirësojë qëndrueshmërinë e njësive të lëvizshme të identifikimit; të trajnojë policë, inspektorë të punës, dhe zyrtarë të tjerë të vijës së parë mbi identifikimin proaktiv të viktimave dhe të rrisë përpjekjet për të kontrolluar fëmijët për shenja trafikimi; dhe të adoptojë një plan kombëtar veprimi dhe të alokojë burime të mjaftueshme për planin.
NDJEKJA PENALE
Qeveria uli përpjekjet e ligjzbatimit. Nenet 110(a) dhe 128(b) të kodit penal kriminalizonin trafikimin për qëllime seksi dhe pune dhe parashikonte dënime prej pesë deri 15 vjet burg dhe një gjobë midis dy milionë lekë ($18,080) dhe pesë milionë lekë ($45,210), të cilat ishin mjaftueshëm shtrënguese dhe, për sa i përket trafikimit për qëllime seksuale, në përpjestim me ato të parashikuara për të tjera krime të rënda, të tilla si përdhunimi. Policia e shtetit hetoi 69 raste me 80 të dyshuar (69 raste me 69 të dyshuar në vitin 2016); 22 nga këta të dyshuar në vitin 2017 u hetuan për trafikim të fëmijëve (22 në vitin 2016) dhe 58 për trafikim të rriturish (47 në vitin 2016). Zyra e Prokurorit të Krimeve të Rënda (ZPKR) ndoqi penalisht pesë të pandehur (18 në vitin 2016); dy nga këta të dyshuar u ndoqën penalisht për trafikim të fëmijëve (nëntë në vitin 2016) dhe tre për trafikim të të rriturve (nëntë në vitin 2016). Gjykatat dënuan shtatë trafikantë (24 në vitin 2016); një trafikant u dënua për trafikim të fëmijëve (11 në vitin 2016) dhe gjashtë për trafikim të rriturish (13 në vitin 2016). Të gjithë trafikantët e dënuar morën dënime me burg, të cilat variuan midis tetë vjet e tetë muaj në 17 vjet.
Autoritetet vazhduan të hetonin dhe ndiqnin penalisht disa trafikantë për krimin më të lehtë të shfrytëzimit të prostitucionit. Autoritetet raportuan çoroditjen midis elementëve të shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit dhe, hera-herës, aplikuan akuzën më të lehtë sepse kërkonte më pak specializim dhe kohë ose për shkak të besimit të gabuar se krimet e trafikimit kërkonin një element ndërkombëtar.
Qeveria miratoi reforma gjyqësore që eventualisht do të ndryshojnë juridikisionin gjyqësor për rastet e trafikimit; çështjet që nuk lidhen me krimin e organizuar së shpejti do të kalojnë nga Gjykata e Krimeve të Rënda tek ato të rretheve, por autoritetet raportuan se prokurorët e rretheve nuk kishin përvojën dhe kapacitetin për të ndjekur penalisht sa e si duhet çështjet e trafikimit. Qeveria administronte një task forcë të ngushtë për të shqyrtuar çështjet e suksesshme dhe të pasuksesshme të trafikimit; deri më sot, task forca ka shqyrtuar vetëm dy raste.
Vëzhguesit raportuan se burimet e kufizuara dhe ndryshimet konstante brenda organeve ligjzbatuese krijonin pengesa në ruajtjen e kapaciteteve për të hetuar trafikimin. Hera-herës në bashkëpunim me shoqërinë civile, qeveria trajnoi 20 oficerë policie, 100 punonjës ligjzbatues vendor; 40 oficerë policie të kufirit; dhe 127 gjyqtarë, prokurorë dhe oficerët të policisë gjyqësore. Qeveria nuk raportoi ndonjë hetim, ndjekje penale apo dënim të punonjësve qeveritarë të përfshirë në kundravajtje trafikimi; megjithatë, bashkëfajësia zyrtare dhe korrupsioni ishin shqetësime domethënëse. Qeveria nënshkroi marrëveshje ekstradimi me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën e Veriut dhe kreu hetime të përbashkëta me agjencitë ligjzbatuese italiane dhe spanjolle.
LINKU I RAPORTIT NE SHQIPLINKU I RAPORTIT NE SHQIP, PUBLIKUAR NGA AMBASADA E SHBA NE TIRANE