Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati ka reaguar sot pas publikimit nga zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, të rastit të qytetarit Arben Gjoka, i cili deklaroi se nuk ishte përfshirë në programin e rindërtimit.
Sipas deputetit Bushati, qytetari nuk ka aplikuar në kohë, por nëse do të krijohet një hapësirë ligjore, ai do të trajtohet për rastin e tij ashtu si edhe qytetarët e tjerë të njësisë ku bën pjesë.
LEXO EDHE -Tërmeti/ Banori: Nuk më përfshinë tek rindërtimi, s’marr bonus qiraje
“PD vijon të përdorë qytetarët edhe kur e ka të qartë hapësirën ligjore. Ne, i garantojmë mbështetje Z. Arben Gjoka, që nuk aplikoi dot në kohë për tu përfshirë në Programin e Rindërtimit. Në rastin më të parë, nëse ligji do krijojë një tjetër mundësi, do ta trajtojmë njësoj si 699 qytetarët e tjerë dhe pa ngjyrime politike,” shprehet Bushati.
Në një reagim në rrjetin social Facebook, Bushati thotë se në Njësinë 8 janë regjistruar në Programin Kombëtar të Rindërtimit 699 aplikime nga familje të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit. Prej tyre, 54 shtëpi të pariparueshme po rindërtohen nga e para, ndërsa banesat e tjera, me dëme më të lehta kanë përfituar nga grantet e rindërtimit.
Në postimin e tij, Bushati publikon edhe akteskpertizën e kryer për banesën e qytetarit./Opinion.al