Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë lëshoi masa sigurie për pesë zyrtarë të Bashkisë Tiranë dhe tre përfaqësues të subjekteve, për vepat penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.2505 të vitit 2021, nisur nga denoncimi i shtetasit A.Xh për prishjen nga IMT të pallatit të tij, pa njoftim e pa vendim zyrtar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Tiranë, provoi se në Janar 2021 janë shembur 6 objekte nga Bashkia Tiranë, duke përfshirë edhe pallatin nr.140 që ishte objekti i hetimit. Ndërsa në mars 2021, nga ana e Këshillit Bashkiak u miratua fondi për “Demolimin dhe evadimin e mbetjeve ndërtimore” për 15 pallate duke përfshirë dhe objektet e demoluara më parë që në muajin janar nga Bashkia Tiranë.
Shtetasja Aleksandra Mahmutllari. si përfaqësuese e subjektit “Arb&Trans-2010″sh.p.k & “KLAJGER KONSTRUKSION” sh.p.k dhe mbikqyrës i punimeve subjekti “MAGING studio” shpk, që fitoi tenderin e demolimit të objekteve, ka përfshirë edhe objektet që ishin të demoluara që në muajin Janar 2021, duke paraqitur rrethana të rreme, punime fiktive dhe shkaktuar dëm në vlerë monetare buxhetit të Bashkisë Tiranë me disbursimin e fondeve publike për punime fiktive.
Dokumenti u hartua nga shtetasi Shyqyri Maloku. në cilësinë e sipërmarrësit të punimeve, i cili ka konsumuar elementet e veprës penale të parashikuar në nenin 186/2 të Kodit Penal pasi ka qenë personi përgjegjës në hartimin e dokumenteve dhe ka paraqitur të dhëna të rreme.
Nga shqyrtimi i plotë i materialit hetimor, rezultoi se shtetasit Sokol Qehajaj dhe Rexhina Rakipi., në cilësinë e punonjësve të IMT-së pranë Bashkisë Tiranë, kanë hartuar preventivët e punimeve. Ata kanë vepruar në kundërshtim me detyrën dhe rregullat profesionale dhe vetë e deklarojnë se nuk kanë dalë asnjëherë në terren për të verifikuar gjendjen reale të objekteve, se preventivat i kanë hartuar duke u bazuar vetëm në “projektin ekzistues” të përcjellë nga Drejtoria e Emergjencave Civile dhe se nuk mbajnë mend nëse konkretisht pallati nr.140 ka qenë ose jo në listë.
Ndërkohë u provua gjithashtu se shtetasi Fatmir Firi. në cilësinë e administratorit përfaqësues të “Arb&Trans-2010″sh.p.k & “KLAJGER KONSTRUKSION”sh.p.k., ka konsumuar elementet e veprës penale të “Falsifikimit të dokumentave” parashikuar nga neni 186/1 i K.Penal, konkretisht me dokumentin “Procesverbal, mbi fillimin e punimeve në objektin “Demolimi dhe evadimi i mbetjeve ndërtimore per 15 pallate, mes tyre dhe pallatit nr 140 me vendndodhje në rrugën “Haki Stermilli”, njësia administrative nr.6 Tiranë.
Referuar aktit të ekspertimit grafik, provohet gjithashtu se nga shtetasit Aurel Çuko, Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile,Aurel Boriçi, Drejtor i Drejtorisë së Emergjencave Civile, Aurel Boriçi, Përgjegjëse sektori i Politikave të Kompensimit të Fatkeqësive Natyrore, janë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’. Roli i tyre ka qenë i ndërlidhur drejtpërdrejt me hartimin, nënshkrimin dhe përdorimin e dokumenteve zyrtare që lidhen me “Aktin e dorëzimit të sheshit të ndërtimit” dhe me dokumentacionin vijues të punimeve për pallatin nr.140 dhe pallatet e tjera objekt i kontratës.
Të tre kanë pasur detyrimin ligjor të nënshkruajnë dokumente që lidhen me procedurat e demolimit dhe evadimit të mbetjeve ndërtimore. Për këtë arsye, çdo lëshim dokumenti të pavërtetë prej tyre përbën jo thjesht një falsifikim, por formën e rënduar të veprës sipas paragrafit të tretë të nenit 186, sepse falsifikimi kryhet nga personi që ka pikërisht për detyrë të lëshojë aktin në fjalë.
Sa më sipër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi caktimin e masave të sigurisë ndaj personave nën hetim:
“Arrest në shtëpi” për shtetasin Fatmir Firi., Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shumë se një herë;
“Arrest në shtëpi” për shtetasin Aurel Boriçi., Drejtori i Drejtorisë së Emergjencave Civile, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë;
“Detyrim paraqitje” për shtetasen Aurel Boriçi, Përgjegjese e Sektorit të Politikave të Kompesimit nga Fatkeqësitë natyrore të Drejtorisë së Emergjencave Civile për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shumë se një herë;
“Detyrim paraqitje” për shtetasen Rexhina Rakipi., Specialiste e IMT, për kryerjen e veprës penale “Shperdorimi detyre”;
“Arrest në shtëpi” për shtetasin Sokol Qehajaj. Specialist i IMT, bashkia Tiranë, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Detyrim paraqitje” për shtetasen Aleksandra Mahmutllari., mbikëqyrëse e punimeve, përfaqësuese e BOE “Maging shpk & Imes-D shpk” për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shume se nje herë;
‘Detyrim paraqitje’ për shtetasin Shyqyri Maloku., përfaqësues ligjor i BOE “Arb & Trans-2000” shpk dhe “KLAJGER Konstruksion” shpk dhe Adminstrator i Subjektit “Arb & Trans -2000” shpk, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë; dhe
‘Detyrim paraqitje’ për shtetasin Fatmir Firi, përfaqësues ligjor i BOE “Arb & Trans -2000” shpk dhe “KLAJGER Konstruksion” shpk për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shumë se një herë.














