Rruga që lidh Liqenin e Kallabakut me fshatin Novosej në Kukës, e ndërtuar vetëm dy muaj më parë me financim të qeverisë shqiptare dhe Bashkisë Kukës, ka pësuar dëmtime serioze.
Bëhet fjalë për segmentin 3.8 kilometra të rrugës së re, e cila është asfaltuar në fund të muajit shtator. Vetëm pak javë pas ndërtimit, në këtë aks janë vërejtur plasaritje të asfaltit, çarje përgjatë trasesë dhe lëvizje të skajeve anësore të rrugës.
Rruga është financuar nga projekti “Rrugët e Bardha”, një iniciativë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që synon përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale malore dhe rritjen e aksesit në destinacionet turistike të veriut.
Ky aks konsiderohet i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Kukës, pasi ofron lidhje me një nga atraksionet më të kërkuara të zonës Liqenin e Kallabakut si dhe me Shtegun e Ngjyrave, një nga shëtitjet malore më të vizituara.
Për momentin, banorët presin reagimin e institucioneve, ndërsa rruga e re vijon të dëmtohet dita-ditës.














