Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit ka përfunduar me fitoren e “Demave” me shifrat 1-2.
Prej 19 muajsh, përkthyer në shtatë ndeshje, Tirana nuk ia del të marrë tri pikë kundër “Demave”.
Tifozët në stadium do shijonin golin e parë pas vetëm 15 minutave lojë, me Maguette që kaloi në epërsi Partizanin pas një supergoli nga 25 metra largësi.
Tirana “u zgjua” dhe provoi të reagonte, teksa Abazaj si fillim goditi traversën e mbrojtur nga Pano Qirko. Sulmuesi i Tiranës korrigjoi shënjestrën në të 42 minutë duke barazuar gjithçka dhe gëzuar pjesën bardheblu të stadiumit.
Pjesa e dytë ishte më agresive për Partizanin, teksa në minutën e 88-të Fjoart Jonuzi doli me karton të kuq pas dy të verdhëve dhe la të tijtë me një lojtar më pak. Vetëm pesë minuta pas këtij episodi, në shtesën e tretë Maguette realizoi sërish dhe i dha tri pikë Partizanit.
Pas javës së 33-të Partizani me 54 pikë mban vendin e tretë, ndërsa Tirana me 46 pikë pozitën e gjashtë.