Një delegacion i Senatit të Kongresit Amerikan dhe Këshillit të Atlantikut ndodhet në Tiranë, ndërsa vendi është përfshirë në një krizë të thellë politike.
Fillimisht ata kanë zhvilluar një takim me Presidentin Ilir Meta. Zyra e shtypit të Presidencës njofton se priti në këtë takim delegacionin e drejtuar nga zoti Damon Wilson, ndërsa zbardh dhe diskutimet.
“Zhvillimet e brendshme politike, zgjidhja sa më e shpejtë e krizës aktuale dhe nevoja për reflektim të menjëhershëm, zbatimi e implementimi i reformës në drejtësi mbështetur në shinat kushtetuese, hedhja e hapave të nevojshme drejt integrimit në BE dhe roli i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon si faktor kyç për stabilitetin, ishin temat kryesore të diskutimit”, theksohet në njoftim.
Pas takimit në Presidencë, Delegacioni amerikan është zhvendosur në Kryesinë e Kuvendit ku është pritur nga kryetari Gramoz Ruçi. Në këtë takim, Ruçi ka theksuar se reformat janë të pakthyeshme e të papengueshme e ndërsa ka shprehur vlerësimin për mbështetjen e ShBA. Nga ana tjetër, Delegacioni amerikan kanë vënë theksin se Shqipëria luan një rol të spikatur për stabilitetin e rajonit./ Opinion.al