Gazment Bardhi ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në lidhje me reformën zgjedhore, ku nuk nguroi të ironizonte opozitën, duke i cilësuar ballistë.
Në reagimin e tij, Bardhi shkruan se kreu i qeverisë ka pranuar publikisht djegien e qëllimshme të Reformës zgjedhore.
Sipas Bardhit, qëndrimi i Ramës “tregon mendësinë e rrezikshme antidemokratike që ka Kryeministri i Shqipërisë për të mbajtur pushtetin me mjete antidemokratike.”
Reagimi i Gazment Bardhit:
Edi Rama nuk ka interes të bëjë asnjë reformë që i shërben qytetarëve shqiptareve. Pohimi në publik se po djeg me vetëdije Komisionin e Reformës Zgjedhore që të mos u japë shqiptarëve një reformë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse që garanton standardet minimale për zgjedhje të lira dhe të ndershme, tregon edhe njëherë mendësinë e rrezikshme antidemokratike që ka Kryeministri i Shqipërisë për të mbajtur pushtetin me mjete antidemokratike.
Deklaratat e sotme të Edi Ramës provojnë edhe njëherë sesa e drejtë është beteja e opozitës në Kuvend. Shqipëria ka nevojë për një Reformë Zgjedhore reale, konsensuale dhe gjithëpërfshirëse që adreson të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe që krijon kushtet e barabarta të garës reale për çdo palë politike në zgjedhje.