Trumpi tjetër i Perëndimit
Nga Guy Verhofstadt*
Zgjedhjet presidenciale në Amerikë kanë tërhequr vëmendjen e gjithë botës shumë më tepër se sa herët e tjera. Kandidati republikan për president Donald Trump duket një kandidat atipik, një kandidat që kërkon një përmbysje të gjithë mënyrës se si është politika me dekada; shihet edhe si i papranueshëm. Gazeta Mapo sjell në rubrikën debat një shkrim të ish-kryeministrit belg Verhofstad dhe një shkrim të fituesit të çmimit Nobel në ekonomi, Stigliutz. Verhofstad e sheh me frikë kandidaturën e Trump dhe e krahason atë me sjelljen e vëllezërve Katcynski disa vite më parë në Poloni. Për Verhofstad kërcënimi i kundërshtarëve politikë siç ka bërë Trump është tmerrues.
Në debatin e dytë presidencial në Amerikë, Donald Trump premtoi se, nëse do të zgjidhet, do të emërojë një prokuror të posaçëm për të hetuar Hillary Clinton. “Ti do të përfundosh në burg”, i tha Trump asaj. Kërcënimi i Trump për politizimin e sistemit të drejtësisë e mori goditjen që meritoi; por, për fat të keq, cinizmi i tij nuk është unik dhe nuk ndodh vetëm në Shtetet e Bashkuara. Qeveria aktuale e Polonisë, e udhëhequr nga partia Ligj dhe Drejtësi (PiS), e cila erdhi në pushtet vetëm një vit më parë, ka demonstruar qëllime të ngjashme autoritariste, duke shkatërruar parimet e sundimit të ligjit për të arritur objektivat e veta. Udhëheqësi i PiS Jarosław Kaczyński në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje për hetim ndaj ish-kryeministrit të Polonisë Donald Tusk, i cili është aktualisht President i Këshillit të Europës. Kaczyński thotë se qeveria e mëparshme e Tusk është pjesërisht përgjegjëse për rrëzimin e një avioni në prill 2010 në Smolensk, Rusi, ku vdiqën 96 vetë, përfshirë vëllanë binjak të Kaczyński, presidentin e Polonisë Lech Kaczyński.
Delegacioni i qeverisë polake po udhëtonte për të përkujtuar masakrën e vitit 1940 në Katin, ku Stalini urdhëroi vrasjen e 22 mijë oficerëve të ushtrisë polake, oficerëve të policisë dhe zyrtarë të tjerë të shtetit polak dhe ia hodhi fajin Hitlerit për këtë krim. Kur Lufta e Ftohtë përfundoi, e vërteta mbi masakrën më në fund u bë publike dhe u pranua zyrtarisht nga Presidenti i Rusisë Boris Jeltsin përgjegjësia sovjetike.
Jarosław Kaczyński dhe anëtarë të tjerë të PiS thonë se Rusia – me ndihmën e disa zyrtarëve polakë – qe përgjegjëse për aksidentin ajror. Ata janë mbështetur në disa teori acaruese komploti për të arritur të ngjiten në pushtet, pavarësisht se nuk kanë prova për ta mbështetur këtë teori. Në të vërtetë, transkriptet nga regjistruesi i bordit të avionit sugjerojnë se aksidenti ndodhi gjatë një uljeje me mot të keq.
Të armatosur me këtë teori komploti, Kaczyński dëshiron t’i mohojë Tusk një mandat të dytë në drejtimin e një nga tri institucionet kryesore qeverisëse të Bashkimit Europian duke thënë, “a duhet që një person i tillë të jetë në krye të Këshillit të Europës? Unë kam dyshime të thella”. Ndërkohë, media e krahut të djathtë në Poloni e ka ndezur zjarrin, ku një revistë së fundmi e paraqiti Tusk të pikturuar me pranga.
Kryqëzata anti-Tusk e Kaczyńskit është një abuzim i nivelit të Trump me pushtetin politik që paralajmëron për atë se si mund të jetë jeta për kundërshtarët politikë të Trump nëse ai fiton zgjedhjet. Kjo reflekton gjithashtu edhe një betejë më të gjerë dhe të ashpër për shpirtin e Polonisë.
Polonia qe dikur shembulli udhërrëfyes për demokracinë e pas Luftës së Ftohtë në Europën Qendrore. Por tashmë PiS ka nisur një fushatë të gjerë rrëmbimi pushtetesh, duke kërkuar kontroll mbi gjykatën kushtetuese të vendit, kanalet e televizioneve publike dhe shërbimeve të sigurisë. Në vend që të çimentojë rëndësinë strategjike të Polonisë për NATO-n dhe vendin që i takon këtij vendi si një anëtar i fuqishëm dhe i respektuar i Bashkimit Europian, PiS është zënë nga obsesioni për të përmbysur modernitetin. Si provë për këtë, ne duhet të mos shohim më tutje se sa sulmi i qeverisë kundër institucioneve demokratike dhe të drejtësisë në këtë vend, sulm që sakaq ka shkaktuar habi në SHBA, Bruksel dhe në të gjithë Europën.
Polonia po përjeton një krizë kushtetuese që filloi kur presidenti i mbështetur nga PiS Andrzej Duda refuzoi të pranojë betimin e tri gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese të zgjedhur nga parlamenti paraardhës. Pas kësaj, PiS zgjodhi gjykatës të parapëlqyer prej saj, ndërsa miratoi ligje që në thelb e paralizuan këtë gjykatë. Gjykata deklaroi ndryshimet ligjore të PiS si antikushtetuese, por qeveria e PiS refuzoi të publikojë vendimin e gjykatës, rrjedhimisht duke bllokuar mundësinë që ky vendim të hynte në fuqi. Tashmë është e pamundur që gjykata të vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjeve të parlamentit aktual, pavarësisht se Kushtetuta e Polonisë ka klauzola eksplicite që autorizojnë rishikimin nga gjykata kushtetuese të ligjeve të parlamentit.
Tashmë që veprimet e PiS janë dënuar nga e gjithë bota, qeveria polake po pret që të përfundojë ky vit, kur edhe mandati i presidentit aktual të Gjykatës Kushtetuese të skadojë. Pas kësaj, PiS do të emërojë një kryetar gjykate miqësor me veten, i tillë që të kërcejë atë muzikë që i vë qeveria. Por një kryetar i ri i gjykatës vështirë se do t’i japë fund krizës kushtetuese të Polonisë, për shkak se ndërsa vendimet e vlefshme të gjykatës kushtetuese vijojnë të mbeten të papublikuara dhe rrjedhimisht jo në fuqi, një vrimë e zezë është hapur në rendin kushtetues të vendit.
BE-ja ka nisur procedura ligjore kundër Polonisë dhe po i bën thirrje qeverisë polake të punojë me partitë e opozitës për ta reformuar gjykatën. Nëse Polonia nuk bindet, BE-ja në fund mund t’i heqë këtij vendi të drejtën e votës. Por ka pak gjasa që BE-ja apo organizma të tjerë ndërkombëtarë do të jenë në gjendje të zgjidhin problemin politik të Polonisë. Vetëm polakët mund ta bëjnë një gjë të tillë.
Në fakt, protestat e stërmëdha kundër një projektligji për ndalimin e abortit së fundmi (me kërcënimin për burg deri me pesë vjet), detyruan qeverinë të tërhiqet nga propozimi. Kjo shënoi një fitore për gratë e Polonisë dhe sugjeron se Polonia është një vend shumë më progresiv nga sa do t’i pëlqente Kaczyńskit.
Megjithatë, ndërsa qeveria mund të ketë vuajtur një disfatë të rëndë publike, ideologjia joliberale që gjendet në themelet e PiS mbetet e paprekur. Kjo do të thotë se shoqëria civile polake do të duhet të luftojë edhe shumë beteja të tjera në muajt e ardhshëm për të kufizuar dhe përmbysur paligjshmërinë e PiS.
* ish-kryeministër belg, është kryetar i Grupit të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Europën (ALDE) në Parlamentin Europian
Si ndodhi që mbërritëm përballë Trump?
Shanset e Donald Trump për të fituar postin e presidentit të SHBA-së janë aktualisht më të ulëta se sa ato të Hillary Clinton, por fakti është se edhe nëse luan ruletën ruse, shanset për të vdekur janë gjithashtu edhe më të ulëta se sa shanset për të mbijetuar. Kjo tregon se thjesht fakti që amerikanët janë të gatshëm të luajnë ruletën ruse duhet të mjaftojë për të alarmuar elitën politike. Nobelisti Joseph Stiglitz shkruan se bota nuk mund të shkojë kaq keq apo pas sa në krye të SHBA-së të vijë Trump.
Nga Joseph E. Stiglitz*
Ndërsa unë po udhëtoja nëpër botë përgjatë javëve të fundit, mora në mënyrë të përsëritur dy pyetje: A është e imagjinueshme që Donald Trump të fitojë zgjedhjet për president? Dhe, si ndodhi që kandidatura e tij mbërriti deri në këtë pikë? Sa për pyetjen e parë, megjithëse parashikimi politik është edhe më i vështirë se sa parashikimi ekonomik, shanset janë të forta në favor të Hillary Clinton. Megjithatë, gara relativisht e fortë (së paku deri tani së fundmi) ka qenë një mister: Clinton është një nga kandidatët më të mirëkualifikuar dhe të mirëpërgatitur që ka pasur ndonjë herë në Shtetet e Bashkuara ndërsa Trump është një nga kandidatët më pak të kualifikuar e më pak të përgatitur. Për më tepër, fushata e Trump i ka mbijetuar sjelljes së tij, sjellje që do të kishte mjaftuar për të rrëzuar çfarëdolloj kandidati në të shkuarën. Pra pse Amerikanët kanë qenë duke luajtur ruletën ruse (në të cilën ka një në gjashtë mundësi për të pasur një fitore të Trump)? Të gjithë nga jashtë Shteteve të Bashkuara dëshirojnë të dinë përgjigjen, për shkak se pasoja do t’i prekë edhe ata, megjithëse ata nuk kanë të drejtë të votojnë në SHBA. Kjo na sjell ne te pyetja e dytë: pse Partia Republikane e SHBA-së nominoi një kandidat që edhe udhëheqësit e partisë e patën refuzuar? Dukshëm, janë shumë faktorët që ndihmuan Trump të mposhtë 16 kandidatë brenda Partisë Republikane dhe të mbërrijë deri këtu. Personalitetet kanë rëndësi dhe disa njerëz duket se pëlqejnë Trump si një person të televizionit. Por shumë faktorë të theksuar duket se kanë kontribuar te ashpërsia e garës. Për fillestarët, duhet të themi se shumë amerikanë janë ekonomikisht më keq se sa qenë një çerek shekulli më parë. Të ardhurat mediane nga punësimi me kohë të plotë janë më të ulëta se sa qenë 42 vjet më parë dhe është gjithnjë e më e vështirë për njerëzit me arsim të paktë të gjejnë punë me kohë të plotë që paguan rroga dinjitoze.
Në të vërtetë, pagat reale (të cilave iu është hequr norma e inflacionit) në fashën e ulët të shpërndarjes së të ardhurave janë pothuajse aty ku kanë qenë 60 vjet më parë. Kështu që nuk është surprizë që Trump ka gjetur një audiencë dëgjuese të gjerë kur ai thotë se ekonomia aktualisht është e kalbur. Por Trump është i gabuar si për sa iu përket arsyeve të kësaj ashtu edhe për sa i përket recetës së zgjidhjes. Ekonomia e SHBA-së si e tërë ka ecur mirë përgjatë gjashtë dekadave të fundit: PBB është rritur me gati gjashtë herë. Por frytet e rritjes kanë shkuar te relativisht pak njerëz në majë – njerëz si Trump, pjesërisht për shkak të reduktimeve masive të taksave të cilat ai dëshiron t’i zgjerojë dhe t’i thellojë edhe më shumë.
Në të njëjtën kohë, reformat, – të tilla si liberalizimi i tregtisë dhe liberalizimi financiar, për të cilat udhëheqësit politikë patën premtuar mund të siguronin mirëqenie për të gjithë – në fakt nuk dhanë efektin e premtuar. Përkundrazi. Dhe ata që kanë parë standardin e tyre të jetesës në stanjacion apo në rënie kanë mbërritur në një konkluzion të thjeshtë: udhëheqësit politikë të Amerikës ose nuk e dinin se çfarë po bënin ose po gënjenin (ose të dyja).
Trump dëshiron t’ia hedhë fajin për të gjitha problemet e Amerikës tregtisë dhe imigrimit. Ai është gabim. SHBA-të do të përballeshin me deindustrializim edhe pa tregti të lirë: punësimi botëror në manifakturë ka qenë në rënie, dhe përmirësimi në produktivitet ka qenë më i madh se sa rritja e kërkesës.
Atje ku dështuan marrëveshjet e tregtisë, nuk qenë për shkak se SHBA-ja humbi përballë partnerëve të vet tregtarë; qe për shkak se axhenda e tregtisë të SHBA-së u përcaktua nga interesi i korporatave. Kompanitë e Amerikës kanë ecur mirë dhe janë republikanët ata që kanë bllokuar përpjekjet që synonin që Amerika të ndante përfitimet nga marrëveshjet e tregtisë.
Kështu, shumë amerikanë ndihen të mashtruar nga forca jashtë kontrollit të tyre, duke sjellë pasoja që janë dukshëm të padrejta. Supozimet afatgjata – se Amerika është toka e mundësive dhe se secila gjeneratë do të jetojë më mirë se sa gjenerata e shkuar – janë vënë në pikëpyetje. Kriza financiare botërore mund të ketë qenë edhe pika e kthesës për shumë votues: qeveria e tyre shpëtoi bankierët e pasur të cilët e patën shtyrë Amerikën drejt rrënimit, ndërsa dukshëm nuk bënë pothuajse asgjë për miliona amerikanë të zakonshëm që humbën vendet e punës dhe shtëpitë. Sistemi jo vetëm solli rezultate të padrejta, por duket se qe i manipuluar për të sjellë rezultate të padrejta.
Mbështetja për Trump bazohet, së paku pjesërisht, te zemërimi i gjithëpërhapur i shkaktuar nga humbja e besimit te qeveria. Por politikat e propozuara nga Trump mund ta bëjnë një situatë të keqe akoma më të keqe. Natyrisht, një dozë tjetër e ekonomiksit të pikave që rrjedhin (trickle-down economics) që ai ka premtuar, me ulje taksash që synojnë të jenë pothuajse tërësisht në përfitim të amerikanëve të pasur të korporatave, do të prodhojë rezultate jo më të mira se sa ajo që ndodhi herën e fundit kur një politikë e tillë u përdor.
Në fakt, nisja e një lufte tregtare me Kinën, Meksikën dhe partnerët e tjerë tregtarë të SHBA-së, siç ka premtuar Trump, do t’i bëjë të gjithë amerikanët më të varfër dhe do të krijojë pengesa të reja për bashkëpunimin ndërkombëtar që është i nevojshëm për të zgjidhur probleme të rënda botërore të tilla si Shteti Islamik, terrorizmi botëror dhe ndryshimet klimaterike. Përdorimi i parave që mund të përdoreshin për t’u investuar në teknologji, arsim apo infrastrukturë, për të ndërtuar një mur mes SHBA-së dhe Meksikës është një keqpërdorim i kotë i burimeve.
Ka dy mesazhe që elitat politike të SHBA-ve duhet të dëgjojnë. Teoritë e thjeshtëzuara neoliberale dhe fundamentaliste të tregut që i kanë dhënë formë shumicës së politikave ekonomike përgjatë katër dekadave të fundit janë thellësisht të gabuara, ku rritja e prodhimit vjen në kurriz të rritjes së pabarazisë. Ekonomiksi i pikave që rrjedhin nuk ka punuar dhe nuk do të punojë. Tregjet nuk ekzistojnë në një vakum. “Revolucioni” Thatcher-Reagan, i cili rishkroi rregullat dhe ristrukturoi tregjet në përfitim të atyre që janë në majë, qe tepër i suksesshëm në rritjen e pabarazisë, por dështoi thellësisht në misionin e vet për të shtuar ritmin e rritjes ekonomike.
Kjo na sjell te mesazhi i dytë: ne duhet të rishkruajmë rregullat e ekonomisë edhe një herë, këtë herë për t’u siguruar që qytetarët e zakonshëm të përfitojnë. Politikanët në SHBA dhe gjithkund tjetër, të cilët injorojnë këtë leksion do të duhet të mbahen përgjegjës. Ndryshimi mbart rreziqe. Por fenomeni Trump – dhe disa zhvillime politike të ngjashme me të në Europë – ka zbuluar se ka rreziqe shumë më të mëdha në rast se dështohet në dëgjimin e mesazhit: shoqëritë e ndara sjellin demokraci të minuara dhe ekonomi të dobësuara.
*laureat i Nobelit në ekonomi, është profesor në Universitetin e Kolumbias. Libri i tij më i fundit, në bashkautorësi me Bruce Greenwald, është “Creating a Learning Society: A New Approach to Growth, Development, and Social Progress”./mapo