Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka marrë fjalën në Kuvend ku u ndal te debati i ditëve të fundit për mbetjet toksike.
Nga foltorja, Duka u shpreh se sipas tij qeveria dhe shteti fshehën kokën dhe përgjegjësinë për këtë çështje.
“Dua të ngre shqetësimin për mbetjet toksike të kompanisë Kurum. Qeveria dhe shteti u sollën në mënyrën më shembullore të papërgjegjshmërisë. Fshehën kokën dhe përgjegjësitë. Ata nuk dinë asgjë, as dogana, as Ministria e Mjedisit, as Autoriteti Portual, as Policia dhe as kontrolli Kufitar. Nëse vërtet nuk di gjë, tregon se ai është shpartalluar në atë masë sa për muaj e vite më radhë, vinçat shkarkojnë lloj lloj malli dhe nuk dinë asgjë. I bashkohen cdo kërkese për interpelancë për të bërë transparencë për këtë çështje . Nuk mund të lejojmë që në një vend ku ndodhin këto skandale me këto pasoja katastrofike mjedisore, të shikojmë videoklipet e qeveritarëve që dalin në televizion me qese në dorë duke pastruar vendin”, tha ndër të tjera Duka.