Mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” po diskutohet përplasja mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ajo që ishte parashikuar si një takim ku pritej të firmosej një marrëveshje, përshkallëzoi në një mënyrë të tillë saqë Trump e largoi Zelensky-n nga Shtëpia e Bardhë.
Pjesë e panelit në studio e TV Klan ishte gazetari Bledian Koka, i cili renditi 3 momente, që sipas tij “derdhën kupën” dhe sollën përplasjen.
Gazetari si provokator në këtë debat shikon Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Ajo që kam parë unë si nisje konflikti ose si provokim ka qenë momenti kur Zelensky i thotë zotit Trump që shiko se kriza mund të kalojë edhe oqeanin. Në këtë moment i thotë Trump, “ore çfarë po thua. Ne po flasim për vendin tënd ti më sfidon mua”. Kjo është preambula e fillimit të sherrit. Ky ka qenë momenti kryesor kur Trump reagon “ore është në terezi ky, unë po i them hajde zgjidhim hallin tënd ky thotë kujdes”. Pika e dytë që pashë unë, i thotë JD Vance-t që këto gjëra m’i ka thënë dhe Putini. Praktikisht e krahasoi Trump ose JD Vance me Putin dhe ky është provokim aq më tepër kur i shkon te shtëpia dikujt për t’i kërkuar nder për të shpëtuar shtëpinë tënde. Dhe gjëja e tretë që e “derdhi kupën” totalisht në analizën time, kush ishte? I thoshte Trump “po ti më jep dot mekanizma sigurie për këtë marrëveshje?”. Ore zotëri edhe sikur mos t’ia jepte Trump, në këtë mënyrë artikulimi siç e pashë unë Zelensky-n ishte provokues gati vënës në dyshim të asaj që realisht është forca e SHBA, siç e njohim të gjithë si polic i botës. Në mendim tim, në këto 3 momente Zelensky tregoi që nuk ishte ai në pritë, përkundrazi, pashë një fëmijë të llastuar deri dje nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar, që kujtoi se mund të bënte të bukurin shejtan para kamerave me personin e gabuar”, tha Koka.