Bota

Debati mes demokratëve, të gjithë kundër miliarderit Bloomberg


               Publikuar në : 16:29 - 20/02/20 |
el ida

Michael Bloomberg, ishte protagonisti absolut i kandidatëve demokratë për presidencën në Las Vegas të Nevadës.

Ish kryebashkiaku i Nju Jorkut, i cili u përball për herë të parë me rivalët në një skenë televizive, u sulmua ashpër nga kandidatët e tjerë.

Sanders u ndal tek e ashtuquajtura politika ‘ndalo dhe kontrollo’ e Bloomberg, gjatë kohës kur ishte kryebashkiak i Nju Jorkut, e kritikuar ashpër nga aktivistët e të drejtave civile.

Elizabeth Warren e sulmoi për komentet, degraduese, siç i quajti, për gratë.

“Një miliarder që i quan gratë të shëndosha dhe lesbike me fytyrë kali. Nuk po flas për Trump por për kryebashkiakun Bloomberg”, deklaroi Warren.

Ndërkohë, Bernie Sanders e akuzoi Bloomberg për politikat e tij kur ishte kryebashkiak.

“Për të mundur Donald Trump, ne do të na duhet numri më i madh i votueseve në historinë e Shteteve të Bashkuara. Politika ‘ndalo dhe kontrollo’ e Bloomberg, e cila përndoqi afro-amerikanët dhe latinët ishte e tmerrshme. Ajo nuk na ndihmon të mbledhim vota”.

Amy Klobuchar e akuzoi se fshihej pas spoteve televizive, ndërsa Joe Biden theksoi kritikat e shkuara ndaj reformës shëndetësore të Barack Obamës.

Bloomberg u mbrojt duke kërkuar falje për politikën ‘ndalo dhe kontrollo’, duke thënë se nuk e dinte se sa e dëmshme do të ishte për qytetin, por kritikave lidhur me shifrat marramendëse që po shpenzonte për fushatën, ju përgjigj kështu.

“Po shpenzoj gjithë këto para për të hequr qafe Donald Trump, presidentin më të keq që kemi pasur ndonjëherë. Nëse e bëj këtë, do të jetë një kontribut I madh për Amerikën dhe fëmijët e mi”, deklaroi gjatë debatit miliarderi.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA mbahen në nëntor të këtij viti, dhe kritikët kanë vlerësuar se debati është fokusuar krejtësisht në çështje të politikës së brendshme në Shtetet e Bashkuara, dhe se asnjëri prej tyre nuk ka përmendur agjendën e jashtme politike./Opinion.al

Pas