Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Giani De Biasi, mbetet pa dyshim një nga figurat më të dashura për shqiptarët, sidomos për dashamirësit e futbollit në veçanti. Kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga Kampionati Europian, ku Shqipëria debutoi denjësisht.
Po çfarë mendon tani De Biasi, është e mundur të arrihet sërish në një kompeticion madhor? Po për grupin, për lojtarët e veçantë, çfarë mendimi ka? Si janë raportet me Kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e FSHF-së, Duka? Përgjigjet e të gjitha këtyre, De Biasi i rrëfen në një intervistë ekskluzive për “Konica.al”, i intervistuar nga Mentor Nazarko.
Pas ceremonisë së nderimit të bërë nga Italia për karrierën tuaj në Itali…Çfarë përfaqëson ky nderim për karrierën tuaj si trajner dhe si njeri?
Besoj se ajo që vlen më shumë se çdo gjë është njohja që ka bërë Italia, përkundrejt një qytetari që ka shkuar të punojë në një vend të huaj, që ka krijuar marrëdhënie të mira me vendin që e ka mirëpritur në punën e tij, që ka arritur të bëjë dhe gjëra të rëndësishme dhe që ka afruar dhe më shumë këto dy kombe, të cilat kanë marrëdhënie të mira, por mendoj se kjo ka ndikuar në dhënien e një imazhi te ndryshëm dhe për të qenit shqiptar.
Këto nderime që po ju bëhen vazhdimisht, nga Italia si dhe nga Shqipëria, janë pasojë e suksesit që Shqipëria pati në Kampionatin Europian të diçkaje që tashmë ka kaluar. A ka ndonjë sukses të së ardhmes që po projektohet për Shqipërinë?
Le të themi që për një lloj konceptimi tim të brendshëm unë jam gjithnjë i projektuar drejt së ardhmes, drejt atyre gjërave që mund të përmirësohen. Është e qartë që tani objektivi kryesor është të përpiqemi të bëjmë një figurë pozitive në këto kualifikime të Kampionatit Botëror edhe pse, pa pasur dëshirë të fshihemi apo të kërkojmë alibi, kemi në grup dy skuadra shumë të forta, si Italia e Spanja, ndaj duhet të tentojmë të bëjmë më të mirën për të arritur këtë synim.
Gjërat e thjeshta nuk ekzistojnë, ndaj duhet të heqim dorë nga ky mendim dhe duhet të përballemi me këtë sfidë së bashku, të ndërgjegjshëm për faktin që dhe sfida e Kampionatit Europian ishte e vështirë, por arritëm ta bëjmë tonën, sepse besuam fort që ky sukses ishte i mundur.
Puna juaj zhvillohet edhe në nivelin psikologjik…Gjatë një vizite në një fushë-stërvitje në Itali jeni shprehur se rezultati i arritur nga Shqipëria në Europian ishte maksimumi që një kombëtare si e jona mund të arrinte. Në të ardhmen nuk duhet pritur përsëritje të një suksesi të tillë?
Në të vërtetë, thashë saktësisht diçka tjetër. Ajo që u arrit në Europian ishte një pikë kulmore dhe të gjithë kampionët e mëdhenj, të gjithë talentet e mëdha në sport kanë një mentalitet të tillë, në bazë të të cilit sapo kanë arritur një target, projektohen menjëherë drejt targetit të ardhshëm. Ndaj ne nuk duhet të kënaqemi me atë çka kemi arritur, do të ishte një mendësi prej humbësish, një mendësi prej personash që nuk kanë asnjë fije vetëvlerësimi.
Besoj se duhet të rikarikojmë bateritë e të besojmë se jemi në gjendje të ecim në rrugën tonë, pavarësisht vështirësive që i krijuam vetes me ndeshjen e fundit në shtëpi kundër Izraelit, por që mund të luajmë deri në fund një rol prej protagonistësh. Varet nga ne, problemi kryesor fillon veçanërisht nga ajo që kemi në kokë nga ato që janë ambiciet tona.
Pak për të bërë shaka…Trajneri që do të keni përballë nuk është një kavalier i Urdhërit Italian të Punës, ndaj një kavalier mund ta mundë, apo jo?
Një kavalier po, megjithëse më mungon kali. Problemi është se në fushë të lojës nuk do të zbresim unë e Ventura, por Shqipëria kundër Italisë, në Itali! Nga vetë tradita, Italia është një skuadër e fortë. Ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë, por kemi së paku avantazhin që njohim më mirë Italinë sesa Izraelin, ndaj mund të zgjedhim kundërpërgjigjet dhe të përgatitemi më së miri për këtë ndeshje. Djemtë kanë një interes të veçantë për këtë ndeshje, ndaj do të na duhet të bëjmë një përballje shumë të veçantë e shumë të kujdesshme.
Nëse do të kishit qenë kavalier para se të merrej vendimi për të caktuar trajnerin, ju mund të ishit bërë dhe trajner i Italisë?
Po, mund të isha bërë dhe trajneri i Italisë, por kisha një kontratë me Shqipërinë dhe mendova të vazhdoja me punën e nisur, aq më tepër që puna e mbetur është një punë shumë e rëndësishme dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë. Këtu ka djem që më kanë dhënë shumë dhe nuk doja t’i braktisja në një moment kaq të vështirë. Pas aventurës në Europian mund të përballeshim më një harxhim të energjive tona, por unë mendoj se jam ende në gjendje të përqendroj ato që janë cilësitë dhe energjitë e këtij ekipi.
Por a po luhet më mirë, d.m.th., në ndeshjet e luajtura pas Europianit, po luhet më mirë sesa në Europian? Si e gjykoni ju?
Dy të parat ishin, sigurisht, shumë të mira, sepse fituam. Dy të tjerat më pak, sepse i humbëm të dyja. Mbeten gjithsesi 6 ndeshje, nuk jemi ende as në mes të rrugëtimit tonë. Kemi një sfidë, sigurisht, të vështirë, por pikërisht për këtë arsye jam shumë më i vendosur, shumë i ndërgjegjshëm, sepse sfidat e vështira më tërheqin shumë. Besoj se djemtë tanë në ndeshjet e mbetura do të arrijnë të japin më të mirën e tyre.
Le të hyjmë pak në politikë…Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Kryeministri Rama. Presidenti i Federatës tha se ai kupton shumë mirë politikën pasi merret çdo ditë me të. Pse atëherë Kryeministri është gjithnjë atje ku jeni ju, në këto ceremonira?
Mesa duket, nga kjo pikëpamje, ka simpati për mua…
Është edhe tifoz i Italisë…?
Po, është dhe tifoz i Italisë, por në atë ndeshje do të jetë tifoz kuqezi, jo i Milanit, por i Shqipërisë. Besoj se ai i qëndron shumë pranë Kombëtares sonë, është një nga tifozët që mezi pret që ne t’i vëmë stërkëmbëshin Italisë dhe që të vazhdojmë deri në fund me këtë ëndërr.
Ka bërë ndonjë gjë të veçantë si qeveri për futbollin?
Sipas meje, po, përtej sportit ka bërë shumë si politikan, ka dhënë një prerje shumë serioze të qenit kryeministër i një vendi jo të lehtë si Shqipëria. Ka bërë një punë të madhe me mendjegjerësinë e tij dhe ka dhënë një impuls shumë të rëndësishëm. Jashtë vendit perceptohet si një person shumë i hapur dhe i zoti.
E kam parë tek “Invasioni barbariche”, Corriere della Sera javën e kaluar, fliste në mënyrë entuziaste për projektin e Boerit për ristrukturimin e sheshit Skënderbej, ndaj mendoj se deri tani Kryeministri ka punuar shumë mirë.
Po presidenti i Federatës, ju është gjendur në krah në punën tuaj?
Unë besoj se presidenti Duka ka punuar mirë. Deri tani ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është se me ka lënë të punoj në autonomi të plotë vendimmarrjeje, pa u përzier dhe ka punuar gjithnjë për t’i dhënë një dorë punës sonë. Ajo për të cilën me vjen keq është që një pjesë e madhe e tifozërisë sonë nuk e ka kuptuar këtë gjë.
Unë jam munduar shumë herë të shpjegoj që ai është një njeri që e ka përzemër Kombëtaren, por njerëzit gjithnjë mendojnë se ka pas kushedi çfarë prapaskenash, kur në të vërtetë nuk ka asgjë. Duka është tifozi i parë i Kombëtares dhe ka të gjithë interesin që gjërat të funksionojnë në mënyrën më të mirë.
Patjetër që këtë e bën në mënyrë manaxheriale, duke dhënë një gjurmë të saktë aspektit në të cilin llogaritë duhet të jenë të sakta dhe nuk mund të shpenzohet pa kriter. Dhe pastaj, thënë mes nesh, paguan shumë pak…Mua!
Por duke u paguar pak ju keni arritur dhe suksese, sepse nëse do ju paguante shumë, mund ta ndjenit veten të llastuar e të mos arrinit asnjë rezultat…?
Ma kthyet bukur batutën! Në të vërtetë, unë e di se ku kam ardhur të punoj, e di se federata shqiptare nuk është nga më të pasurat në botë. Falë Europianit, kemi realizuar të ardhuara që na kanë lejuar të bëjmë një hop përpara. Ka pasur investime dhe do të ketë dhe të tjera, sidomos për sa i përket impianteve e fushave të lojës. Mendoj se ajo që mundon kryesisht, janë infrastrukturat që mund të ndihmojnë fëmijët të largohen nga rruga dhe të formohen profesionalisht, duke u shndërruar në lojtarët e së ardhmes.
Një pyetje që vjen nga qarqet sportive…Cila është një skuadër e madhe që do të donit të drejtonit, ndërkombëtare apo italiane qoftë?
Do të doja të drejtoja Realin e Madridit, por nuk më kanë thirrur kurrë. Barcelonën, por nuk më kanë thirrur kurrë.
Po në Angli?
Chelsea-n, por ata thirrën Conte-n, kështu që… Le të themi që unë ndihem mirë këtu ku jam e nuk kam gjinkalla që më këndojnë në kokë. Dhe koka nuk më merr erë, kjo është e sigurt. Besoj se kam përvojën për të bërë gjëra të ndryshme. Nuk kam shumë ambicie nga kjo pikëpamje, megjithëse nuk të fsheh se, kur fitova dy kampionate rresht me Modenën, nga Seria C në Serinë A, ndoshta prisja dhe ndonjë thirrje nga një klub i rëndësishëm.
Shkova në një skuadër të rëndomtë të Serisë A, te Brescia dhe arsyeja ishte se kisha në skuadër Roberto Baggio-n, një nga lojtarët më të mëdhenj italianë të të gjitha kohërave. Ka sot trajnerë që kanë bërë shumë më pak se unë, madje nuk kanë bërë asgjë, që drejtojnë skuadra të mëdha dhe kjo më acaron shumë.
Një rast shumë i diskutuar është ai i Kaçes për polemikat që krijoi, por dhe për mungesën e vazhdimësisë në lojën e tij. Çfarë këshillash apo sugjerimesh do të kishit për Kaçen?
Mendoj se jeta i ka mësuar diçka. Është një djalë që ka talent, një djalë që nuk e ka kuptuar si funksionon futbolli, por besoj se po e kupton tani në kurriz të vet. Në jetë nuk duhet menduar asnjëherë që ke arritur synimet e tua deri në fund, sidomos për dikë të datëlindjes ’93, që sapo ka filluar rrugëtimin e tij. Shpeshherë krijohen iluzione, por unë mendoj se kjo periudhë do t’i vlejë si mësim. Nuk luan më as me një skuadër, as me një tjetër, mbeti aty ku ishte dhe do të rrijë shpesh në stol. Besoj se do t’i shndërrohet në një proces pjekurie.
A dëgjoheni me të, i keni dhënë këshilla?
Jo, jo. Unë këshillat ia dhashë kur ishte momenti, më pas nuk harxhoj më energji, sepse tashmë ai duhet t’i kuptojë vetë gjërat.
Ne e biseduam këtë bashkë dhe privatisht. Është një djalë që ka një situatë psikologjike pak të veçantë. Është ndoshta pak i llastuar…
Jo, jo, nuk është i llastuar. Është një djalë i jashtëzakonshëm. Shpeshherë mënyra e të shprehurit e çon të komunikojë në mënyrë të gabuar, ndoshta sepse për shkak të gjuhës ka ndonjë vështirësi. Dhe së dyti, sepse është i ri, që ende nuk ka përvojën e dinakërinë që të ruhet nga goditjet që të shmangë një mënyrë të shprehuri të veçantë gjatë intervistave. Besoj se për të kjo do të jetë një periudhë themelore.
Unë qëllimisht nuk kam folur me të, nuk e kam marrë në telefon, sepse dua të shoh cili do të jetë reagimi i tij. Është një situatë nga e cila duhet të dalë me këmbët e veta. Në qoftë se vazhdon me agjentin, me shokun, me xhaxhain, me gjyshin, nuk do të mbërrijë askund. Duhet të bëjë një hap përpara dhe duhet ta bëjë me këmbët e tij. Vetëm në këtë mënyrë mund të shndërrohet në një lojtar themelor për ne.
A do t’i jepni një këshillë, një dorë?
Akoma?! I kam dhënë një miliard duar, nuk më mbetet veçse t’i jap një këmbë, një shkelm nga prapa…
Ai kishte një karrierë të rëndësishme përpara me kombëtaren greke. Ju keni ndikuar që ai të vinte të luante për Shqipërinë?
Jo, këto janë gjërat tuaja, fjalë gazetarësh, të gjitha budallallëqe, si pjesa më e madhe. Puna është se gjërat duhet t’i njohësh para se të flasësh në mënyrë serioze. Shpeshherë flitet “me të dëgjuar”. Unë me Kaçe-n flas drejtpërdrejt, sepse e di si funksionojnë gjërat. Kaçe është një lojtar i mirë, për të cilin unë kam folur me disa skuadra, disa prej të cilave dhe të rëndësishme.
Pra, fjalët për një kalim të tij tek Interi nuk ishin të vërteta?
Se mos e ka kërkuar dhe Real Madrid apo Manchester City?
Jo, por flitej dhe shkruhej dhe në Internet!
Po, natyrisht, po të lexosh internetin… Interneti është një gjiriz budallallëqesh të vazhdueshme. Duhet të mësojmë dhe si ta lexojmë web-in, sepse nëse dikush zgjohet një ditë e shkruan që Kaçen e ka kërkuar Reali i Madridit, njerëzit e besojnë. Por e beson dhe ai vetë, kjo është dramatike! Do të duhej që të qëndronim me këmbët në tokë.
Unë më parë përmenda Realin, Barcelonën e Chelsea-n, sepse e di që janë skuadra që nuk do të më kërkojnë kurrë, ishte për të bërë një batutë. E njëjta gjë vlen dhe për djemtë. Besoj se duhet pak inteligjencë dhe arsyetim për të thënë që këtu kemi një grup lojtarësh të mirë që mund të bëhen të shkëlqyeshëm nëse shndërrohen në një skuadër. Për të qenë një skuadër duhet që gjithkush të sakrifikojë interest e veta personale e t’i vërë në shërbim së skuadrës. Ky është problemi kryesor.
Ka dhe një çështje tjetër, ajo e Besart Berishës që luan në Australi…
Eh, lëre të rrijë në Australi!
Po, por po grumbullohet për Kosovën!
Lëre të grumbullohet për Kosovën. Për të ardhur në Shqipëri ishtë shumë e gjatë rruga nga Australia! Mësa duket për të shkuar në Kosovë rruga është më e shkurtër, megjithëse është paksa më në veri se ne! Megjithatë s’ka rëndësi. Në fund të fundit ne shkuam në Evropian pa Besart Berishën!
Dhe pa Rashicën, apo jo?
S’ka qenë kurrë me ne.
Nuk ka qenë kurrë, megjithëse u stërvit në Austri?
Rashica nuk ka qenë kurrë me ne! Ishte me ne, sepse ishte një lojtar që mund të përzgjidhej nëse më mbushte mendjen mua, nëse ishte më i mirë se lojtarët që na çuan deri në Francë. Unë këtë superioritet të tijin nuk e pashë, aq është e vërtetë saqë është në stol dhe tek ekipi në kampionatin e tij.
A solli Evropiani ndryshime, suksese në karrierat e lojtarëve te veçantë?
Sipas meje kontribuoi shumë. Kur je lojtar i një skuadre kombëtare, qoftë dhe i një skuadre pa shumë emër siç është kombëtarja shqiptare, por që ka arritur në fazën finale të një Evropiani, vlera e një lojtari rritet. Ajo që nuk duhet të rritet është mendjemadhësia e të ndjerit të realizuar.
Flas në mënyrë të përgjithshme, duke përfshirë dhe veten. Duhet të qëndrojmë me këmbët në tokë e të mundohemi për të dhënë maksimumin. Ne kemi një veti që jemi skuadër, jemi të vendosur. Nuk kemi cilësi të mëdha nga ana teknike dhe të tjerët mund të qëndrojnë më lart. Ajo që nuk duhet të na mungojë është vendosmëria dhe dëshira për të ndjekur rezultatin deri në çastin e fundit.
A mungoi kjo vendosmëri në ndeshjen me Izraelin? Pamë një portier si Berisha që e humbi gjakftohtësinë…
Po kjo mund të ndodhë, është normale. Mendoj se u treguam disi naïvë nga pikëpamja taktike, veçanërisht u kapëm “në gjumë” në rastin e golit të parë dhe kjo e kompromentoi fazën e parë të ndeshjes. Pastaj mbetëm me një lojtar më pak. Në fillim të pjesës së dytë patëm këtë kacafytje, ku lojtari izraelit me dinakëri “e futi në thes” Berishën.
Ishte një gjë e pabesueshme. Besoj se arbitrat ose nuk kanë luajtur asnjëherë, ose bëjnë sikur nuk shohin, sepse është e pamundur të nxjerrësh jashtë Berishën e të lësh në fushën lojtarin që bën një skenë të tillë. Mendoj se duhej dënuar, por për fat të keq, në futboll shpesh ndodh e kundërta.
Në atë ndeshje u përjetua dhe konteksti i mundësisë së një atentati. Një lojtar i rëndësishëm si Mavraj e drejtoi gishtin drejt kësaj situate frike e kontrollesh të forta e të rrepta, të cilat penguan tifozët që të hynin në stadium. A është e vërtetë kjo apo është një ekzagjerim?
Kjo është një përshtypje e tij. Unë nuk mund të përjetoj përshtypjet që përjetojnë djemtë. Unë jam gjashtëdhjetë vjeç, ndërsa ata më pak se tridhjetë, ndaj kemi një qasje krejt të ndryshme. Sigurisht, kjo ndeshje që ne e luajtëm në shtëpi dukej sikur po luanim jashtë fushës sonë.
Ka një problem kur luan kundër Izraelit, që ka masa sigurie të pabesueshme, mbërrijnë me aparaturat e tyre të jashtëzakonshme të sigurisë, saqë duket vërtet sikur po luan në fushë të huaj. Mund vetëm ta përfytyroj se ç’do të ndodhë kur të shkojmë ne në Izrael!
Mund të mendohet se vërtet kjo ndeshje ishte “jashtë binarëve” nga njëfarë këndvështrimi. Unë jam një person që nuk u ofroj kurrë alibi lojtarëve. Mund të luanim më mirë, pavarësisht të gjitha problemeve që patëm para fillimit të ndeshjes, veçanërisht nëse do të kishim qenë pak më dinakë në leximin e disa situatave taktike.
Janë dy mungesa të rëndësishme ndaj Italisë, Gjimshiti dhe Berisha, të cilët janë të pezulluar nga kartonët. Kush do t’i zëvendësojë?
Duhet edhe një muaj e gjysmë deri te ndeshja me Italinë dhe nuk dihet se në çfarë situate do të jenë futbollistët deri atëherë. Kështu që nuk mund ta them që sot se kush mund të zëvendësojë Gjimshitin dhe Berishën. Futbollistët kanë për të zhvilluar ndoshta edhe 6 ndeshje me skuadrat e tyre, kështu që do të shohim…
Do të ketë prurje të reja për sfidën e radhës?
Nuk e di, ashtu siç e thashë edhe më parë, ne do të shohim çfarë do të ndodhë me lojtarët, se si do të paraqiten gjatë kësaj periudhe. Ne jemi duke ndjekur me vëmendje dy lojtarë të rinj, që mund t’i shërbejnë edhe kombëtares U-21 të drejtuar nga Alban Bushi, për shembull, Ndoji që luan te Breshia, një lojtar që sipas meje mund të bëjë gjëra të mira dhe ne po e ndjekim me mjaft kujdes. Është një mesfushor me mjaft interes. Kemi edhe lojtarë të tjerë që ndjekim, por për momentin nuk po them emra.
Sa janë shanset e Shqipërisë për të kapur vendin e tretë, apo të dytin dhe të parin?
Nuk i di shanset, sepse nuk luaj kurrë. Jam i përqendruar vetëm në gjërat konkrete dhe konkretisht ne duhet të përballojmë Italinë, që për mua, është forca e dytë e grupit, pasi Spanja ka diçka më tepër se të tjerët. Italia ka lojtarë të rëndësishëm, duke filluar me portierin dhe mbrojtjen, por edhe repartet e tjera. Duhet të përqendrohemi jo 100%, por 150% për Italinë.
Do t’i këndoni të dy himnet në ndeshjen Itali-Shqipëri?
Himnin italian e njoh më mirë se atë shqiptar, por nëse do të kishte karaoke poshtë dhe do ta lexoja, atëherë me siguri do ta këndoja. Njohja ime me shqipen është akoma jo e mirë. Gjithsesi do t’i këndoj të dy himnet, atë shqiptar sipas mënyrës sime.
Kush i ndjek tani futbollistët shqiptarë pas largimit të Tramezzani-t?
Veronese, Bulku, Gianni De Biasi, që lëviz i pari dhe të gjithë personat që punojnë për mua.
Sadiku është transferuar tashmë te Lugano. Si po shkon ai me skuadrën e re?
Unë e pashë ndeshjen e tij të parë pas ndërprerjes dimërore. Sadiku bëri një ndeshje të mirë. Kur ndeshesh me një skuadër të fortë si Basel, që po fiton kampionatin prej 6-7 vitesh, diferencat janë të mëdha në fushë. Sadiku pati 2-3 raste të mira që i krijoi po vetë. E pashë relativisht mirë në fushë. Unë shpresoj që për ndeshjen me Italinë të jetë në 100% të formës së tij.
Po Tramezzani, a do të ketë sukses te Lugano?
Unë besoj se po, sepse është i zoti, i përgatitur dhe mjaft i motivuar. Unë besoj se erdhi momenti në jetën e tij për të menduar edhe për karrierën e tij. Jam i bindur që do të bëjë gjëra të mira.
Marrë nga “konica.al”