Në panelin Zgjerimi i Horizonteve Europiane gjatë Forumit të Davosit, kryeministri Edi Rama është pyetur në lidhje dhe me skandalin e fundit që ka përfshirë Parlamentin Europian.
Duke i kërkuar falje presidentes së PE, Metsola që ishte e pranishme në panel, kreu i qeverisë u përgjigj me një shprehje tipike angleze që në shqip mund të paralelizohet me thënien ‘çfarë do të mbjellësh do të korrësh”.
“Por për ne dhe për mua kjo nuk është shaka, BE-ja është destinacioni i vetëm. Edhe nëse nuk do të arrijmë kurrë atje, pjesa e rëndësishme është se do të jemi në gjendje të kemi një shtet të ngjashëm me BE-në me institucione reale, llogaridhënie reale e kështu me radhë e kështu me radhë. Por, më vjen keq që duhet ta them, kur ky rast korrupsioni doli në Parlamentin Europian, thashë, ‘Karma është K….”, tha Rama.
Parlamenti Evropian u trondit së fundmi nga disa raste korrupsioni të dyshuar mes disa përfaqësuesve të tij të lartë.
Gjyqësori belg kreu disa kontrolle të premten si pjesë e një hetimi të hapur në mes të korrikut të këtij viti për një organizatë të dyshuar kriminale që depërtoi në zemrën e Parlamentit Evropian dhe dyshohet për ndërhyrje në politikën e sindikatave dhe korrupsion përmes Katarit.
Gjatë kontrollit u sekuestruan 600 mijë euro para në dorë, si dhe pajisje kompjuterike dhe telefona. Prokuroria belge ka ngritur dje akuza ndaj katër personave të dyshuar për marrjen e parave dhe dhuratave për të ndikuar në vendimet e Parlamentit Evropian në favor të një shteti të Gjirit.