Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar për herë të parë pas deklaratave të deputetit Dashnor Sula se është përjashtuar nga lista e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 11 Majit.
Para se të hynte në selinë blu për të zhvilluar mbledhjen e Kryesisë, Berisha është pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë deklaratë të deputetit demokrat.
Berisha është shprehur se Dashnor Sula nuk është përjashtuar nga lista e kandidatëve për deputetë.
“S’është përjashtuar dhe s’mund të përjashtohet. Ka meritat e veta. Nuk kam komunikuar me zotin Sula. Telefoni im ka mijëra mesazhe, edhe mund të më ketë shkruar. Ai është njeri i respektuar”, tha Berisha.
Kreu demokrat ka lënë të nënkuptohet se Sula mund të jetë kandidat, kur u pyet nga gazetarët sesi mund të linte jashtë liste një nga më të votuarit në qarkun Elbasan, gjatë primareve.
A keni një arsye pse më të votuarit nuk janë në listë të sigurt?
Sali Berisha: Janë! Disa prej tyre.. Të miratohet lista, se nuk është miratuar. Nuk më shkon të nxjerr unë listën kur nuk është miratuar.
Në qarkun e Elbasanit, ju më të votuarin nuk do e keni as kandidat?
Sali Berisha: Ajo nuk dihet, e thua ti.
E ka deklaruar vetë.
Sali Berisha: Ai deklaron por pastaj mund të ndryshojë mendim.