Ky është momenti i vendosjes së lëndës plasëse në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj.
Rreth orës 02:55 në datën 28 Prill, në rrugë shfaqet një person i veshur me të zeza e i maskuar. Nga pas mban në dorë tritolin, ndërsa afrohet me qetësi drejt shtëpisë së gjyqtarit të Shkodrës Tonin Stërkaj.
I vetmi që lajmëron ardhjen e tij është qeni i fqinjit, i cili sapo dallon personin në fjalë leh, por duke qenë se ishin orët e vona të natës, askush nuk u alarmua. Me gjasë të gjithë ishin në gjumë.
Siç edhe shihet qartësisht në këto pamje, autori afrohet me hap normal drejt portës së gjyqtarit, që ndodhet në lagjen “Tom Kola” të qytetit verior.
As nga qeni nuk trembet, e kur afrohet te porta vendos tritolin që ka në dorë. Më pas nxjerr nga xhepi diçka, me gjasë çakmak. Ulet e ndez dhe më pas largohet me vrap. Gjithçka ndodh në më pak se 2 minuta.
Qeni leh edhe kur autori largohet. Në orën 02:59 ndodh shpërthimi i fuqishëm. Nga ngjarja në fjalë, pati vetëm dëme materiale. Në momentin e shpërthimit në shtëpi ndodhej e gjitha familja e gjyqtarit 62-vjeçar.
Dyshimet e para lidhen me detyrën e Tonin Stërkajt si gjyqtar, megjithatë po hetohen dhe pista të tjera që mund të kenë lidhje me konflikte pronësie.