Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, në një konferencë për mediat u shpreh lidhur me incidentin me rusët në Gramsh se hetimet do të vijojnë për të ditur se çfarë qëllimi kanë patur ata te uzina e armëve.
Ai theksoi ndër të tjera se Uzina e armëve në Gramsh është objekt i deklasifikuar dhe nuk ka asnjë sekret shtetëror.
Po ashtu Çuçi tha se ka turistë aventurierë që e kanë si synim fotografimin e objekteve me karakter të veçantë që ishin pjesë e një industrie të luftës së ftohtë, ndaj do hetohet deri në fund për të mësuar çdo pozicion të gjithkujt në këtë ngjarje.
“Ky objekt është deklasifikuar, për nga pajisjet që kishin me vete dhe për shkak të agresionit që kanë ushtruar ndaj ushtarëve janë marrë nën hetim nga prokuroria. Prokuroria bashkë me policinë do e zbërthejë çështjen. Ka turistë aventurierë që e kanë si synim fotografimin e objekteve me karakter të veçantë që ishin pjesë e një industrie të luftës së ftohtë, ndaj do hetojmë deri në fund për të hetuar çdo pozicion të gjithkujt në këtë ngjarje. Deri tani nuk ka vend për spekulime. Edhe për ngjarje të tjera të ngjashme kemi qenë shumë të qartë. Përfundimi i hetimeve do të tregojë se çfarë qëllimi kishin këta njerëz, pavarësisht se objekti është i deklasifikuar dhe nuk ka asnjë sekret shtetëror”, u shpreh Çuçi.