Cristiano Ronaldo ka vështirësi të gjejë shokë te Real Madrid, nëse do t’i besonim rrjeteve sociale. Portugezi, i cili ka pasur disa fërkime me kolegët e tij gjatë kohës së kaluar në “Bernabeu”, ndjek vetëm KATËR nga shokët e tij të ekipit në Twitter. Sergio Ramos, Alvaro Arbeloa, Pepe dhe James Rodriguez janë fatlumët, të cilët bëjnë pjesë në listën e personave që pëlqehen nga CR7 dhe që përfshin në total 93 njerëz. Pjesë e kësaj liste janë edhe ish-shokët e ekipit Xabi Alonso dhe Fabio Coentrao.
Ndërsa rivalët e Barcelona-s tregojnë një shpirt të madh skuadre, Ronaldo ka thënë kohët e fundit se lidhjet me shokët e ekipit nuk kanë asnjë ndikim në fitimin e trofeve. “Te Manchester United kam fituar Champions League dhe nuk flisja me Ferdinand, Giggs apo Paul Scholes.
Thjesht përshëndeteshim kur shiheshim, asgjë më shumë. Në fushë kemi luftuar gjithmonë për skuadrën. Përqafimet dhe puthjet nuk kanë asnjë rëndësi. Bale nuk do të përmirësohej nëse do të vinte për darkë në shtëpinë time. Jemi profesionistë”, kanë qenë deklaratat e portugezit, të dhëna para disa kohësh.