Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri ka paralajmëruar Cristiano Ronaldon se, në disa momente të caktuara mund ta gjejë veten edhe në pankinën e klubit bardhezi. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” iu bashkua klubit nga Torino për 100 milionë euro këtë verë.
Edhe pse Allegri ka konfirmuar se Ronaldo do të debutojë zyrtarisht në “Allianz Stadium” në përballjen e së shtunës kundër Lazios, ai garantoi gjithashtu ish-yllin e Realit të Madridit se disa ndeshje nuk do t’i nisë si titullar, por si zëvendësues.
“Sigurisht që do të ketë raste kur ai do të niset nga pankina dhe mund të luajë ndoshta 30 minuta”, tha Allegri. “Edhe atij i nevojiten disa momente pushim në periudha të ndryshme të sezonit. Në Madrid, ai e menaxhoi situatën në mënyrë të shkëlqyer. Ndaj Lazios do të luajë, më pas do të shohim”.
Juventusi fitoi 3-2 në ndeshjen e parë të Serie A për këtë sezon, pas një goli të Federico Bernardeschit në minutat shtesë. Në atë ndeshje, Ronaldo nuk mundi të gjente rrugën e golit.