Aktualitet

COVID-19/ Shpenzimet ulen për shëndetësinë, rriten për mjedisin


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:04 - 19/11/20 |
Opi Nion

Sistemet publike të shëndetësisë në të gjithë botën janë vënë në presionin e shpenzimeve të larta për përballimin e emergjencës që ka krijuar pandemia Covid-19, por në Shqipëri ka ndodhur e kundërta.

Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, për klasifikimin e shpenzimeve sipas funksioneve, gjatë 9 mujorit 2020 shpenzimet për sektorin e shëndetësisë ishin 4.2 % më të ulëta se, në të njëjtën periudhe të një viti më parë, ndërsa në vlerë ishin 1,5 miliardë lekë më pak (13.7 mln euro)

Teksa fondet për shëndetësinë dhe për disa funksione të tjera të tilla si, shërbime të përgjithshme publike, argëtimi dhe arsimi ishin më të ulëta se vitin e kaluar, kanë pësuar rritje të ndjeshme fondet për mbrojtjen e mjedisit dhe ato për mbrojtjen sociale dhe për çështjet ekonomike.

Sipas të dhënave zyrtare në 9-mujor shpenzimet për mbrojtjen e mjedisit pësuan rritjen më të lartë me 68 % në raport me janar-shtator 2019. Ato arritën gjithsej në 3,7 miliardë lekë ose 12 milionë euro më shumë se në vitin e kaluar.

Nga ana tjetër Sektori i Shëndetësisë u përball këtë vit me presion të lartë për blerje të pajisjeve dhe medikamenteve shtesë për trajtimin e të prekurve nga COVID-19, duke marrë edhe një financim shtese prej 4 miliardë lekësh nga buxheti i shtetit.

Por të dhënat faktike për realizimin e buxhetit 2020 tregojnë se, shpenzimet për shëndetësinë jo vetëm që nuk janë rritur, por rezultojnë poshtë faktit të vitit të kaluar me 13 milionë euro. Burimet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm sqarojnë se shkak për këtë situatë është bërë pezullimi i kontratës koncesionare të check-up dhe pagesat më të ulëta për koncesionin e sterilizimit.

Kosto vjetore e koncesionit të sterilizimit është rreth 1,6 miliardë lekë, por këtë vit pagesa pritet të jetë më e ulët, për shkak se një numër i madh operacionesh jo emergjente janë shtyrë prej pandemisë. Ndërsa koncesioni i check-up, me kosto vjetore 876 milionë lekë, është pezulluar për të rinisur aktivitetin pasi pandemia të ketë kaluar.

Shpenzimet totale të buxhetit ishin 367 miliardë lekë për 9 mujorin, me rritje gati 6% me bazë vjetore, të ndikuara kryesisht nga shtimi i fondeve për mbrojtjen sociale, si rrjedhojë e paketave anti Covid-19.

Në 6-mujorin e parë 2020, funksionet e qeverisë që pësuan rritje të shpenzimeve ishin mbrojtja sociale me 13% në raport me një vit më parë, si rrjedhojë e paketave të ndihmës, mbrojtja e mjedisit me 68%, rendi dhe siguria publike me 3,9 %, çështjet ekonomike me 19.8 për qind.

Pandemia Covid -19 zhbalancoi treguesit makroekonomikë dhe ato buxhetore. Të ardhurat kanë pësuar rënie vjetore ne rreth 10.4 për qind gjatë 9-mujorit, ndërsa deficiti buxhetor është programuar të arrijë në 8,4 % të PBB-së nga rreth 2 për qind që ishte në buxheti fillestar./Monitor

Pas