Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se të mërkurën janë konfirmuar edhe 9 raste me koronavirus në Kosovë.
Nëntë testet pozitive kanë rezultuar pas 225 testimeve që janë bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Sipas ministrit Vitia të shëruar nga sëmundja COVID-19, janë regjistruar 17 pacientë duke e çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 249.
“Dita e tretë me radhë kur ne të gjithë po i marrim rezultatet e angazhimit të përbashkët.Faleminderit personelit shëndetësor, policëve, zjarrëfiksëve, kryetarëve të komunave, administratës, pastruesëve dhe të gjithëve të angazhuar në këtë betejë të përbashkët”, ka shkruar Vitia.
Deri më tani në Kosovë nga koronavirusi i ri kanë humbur jetën 22 persona.
Më herët, Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se aktualisht aty janë të hospitalizuar 51 persona, prej tyre 36 janë të infektuar me koronavirus.
Nga të prekurit, dy pacientë janë në gjendje të rëndë dhe përkujdesje intensive, 28 janë në gjendje stabile, derisa 7 të tjerë janë duke u trajtuar me oksigjenoterapi.