Sekretari shtetëror në Ministrinë e Ambientit të Serbisë, Branisllav Bllazhiç, ka humbur jetën pasi ishte infektuar nga koronavirusi.
Politikani i krahut të djathtë, Bllazhiç ka qenë edhe bashkëthemelues i Partisë Progresive. Ai ka shërbyer si ministër i Ambientit në fund të viteve 1990 dhe i është kthyer sërish politikës në vitet e fundit, duke mbajtur postin e sekretarit shtetëror.
Ky lajm vjen në kohën e rritjes së numrit të të infektuarve në këtë shtet. Serbia ka raportuar për 1,060 raste me koronavirus dhe pothuajse 30 vdekje deri më tani.
Aktualisht në Serbi është duke u zbatuar edhe masa e gjendjes së jashtëzakonshme./ Opinion.al