-Kulturë

Çmimet Nobel, spekulimet për Gretën dhe dyshen e letërsisë


               Publikuar në : 13:11 - 04/10/19 |
Geljano Fataj

Ekspertët janë të kujdesshëm, por bastvënësit preferojnë aktivisten adoleshente për klimën, Greta Thunberg, për laureate të Çmimit Nobel për Paqe, i cili do të ndahet javën e ardhshme.

Vlerësimet nga Ladbrokes – kompani e basteve në Londër – tregojnë se 16-vjeçarja do të shpërblehet me këtë çmim, pasi ka nisur një grevë në shkollë, e cila më pas ka frymëzuar miliona të tjerë për t’iu bashkuar lëvizjes “Të premtet për të ardhmen”.

Çdo parashikim, megjithatë, bart pasiguri të madhe, pasi lista e kandidatëve që shqyrtohet nga Komiteti i Nobelit, nuk bëhet publike dhe ekspertët kanë mendime të ndryshme nëse ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis klimës dhe konflikteve të dhunshme.

Ndryshe nga herët e tjera, Komiteti i Nobelit do të ndajë sivjet dy çmime për letërsinë, për vitin 2018 dhe këtë vit.

Vitin e kaluar – për herë të parë në 70 vjet – çmimi është shtyrë për shkak të një skandali të ngacmimit seksual. Shtatë nga 18 anëtarët e Akademisë suedeze kanë dhënë dorëheqje.

Parashikimet për laureatin në letërsi janë gjithmonë spekulime, që më shumë reflektojnë dëshira sesa një gjykim të vërtetë të prirjeve të Akademisë.

Në mesin e fituesve të mundshëm që përmenden sivjet janë: shkrimtarja polake, Olga Tokarczuk, shkrimtari kenian, Ngugi Wa Thiong’o, shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, shkrimtarja amerikane, Joyce Carol Oates, dhe shkrimtari japonez, Harukii Murakami.

France 24 shkruan se Akademia do të përpiqet të shmangë polemikat këtë vit, prandaj do të përpiqet të bëjë zgjedhje të matura. Laureatët pritet të përfshijnë së paku një grua.

Vendimi për të nderuar këngëtarin dhe tekstshkruesin amerikan, Bob Dylan, në vitin 2016 i ka zemëruar tradicionalistët. Më 2017, ndërkaq, fitorja e Kazuo Ishiguros, një romancier britanik me origjinë japoneze, është parë si zgjedhje konsensuale./ Opinion.al

Pas