Policia e Tiranës ka dhënë detaje për shitjen e biletave me çmim të lartë për ndeshjen “Shqipëri–Serbi”, ku ndër të tjera thuhet se janë arrestuar 3 shtetas dhe proceduar në gjendje të lirë 2 të tjerë.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Attention”.
Shitën në Instagram, bileta për ndeshjen “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga FSHF-ja, arrestohen 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2. Në kuadër të operacionit, u identifikuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit L. M., 34 vjeç, A. T., 23 vjeç dhe I. L., 24 vjeç, të cilët u vunë në pranga, si dhe shtetasi E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar, për të cilët filloi procedimi në gjendje të lirë”, thuhet në njoftim.
Si rezultat i sigurimit të informacionit se në një llogari në rrjetin social “Instagram”, shiteshin bileta për ndeshjen e futbollit “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Attention”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”.