Me sulmet e tij ndaj Sirisë, Izraeli nuk përpiqet vetëm të mbrojë minoritetin e druzëve, thonë vëzhguesit.
Çfarë fshihet realisht pas ndërhyrjes së qeverisë izraelite në një konflikt të brendshëm sirian?
Ende nuk kishte lindur dielli, kur Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa u shfaq para kamerave të televizionit kombëtar për të bërë disa njoftime të enjten e kaluar.
Luftimet e përgjakshme mes beduinëve sunitë dhe pakicës druze, që morën disa qindra jetë në provincën jugore të Suwayda, kanë përfunduar, deklaroi Al-Sharaa. Al Sharaa gjithashtu konfirmoi se trupat qeveritare ishin tërhequr nga rajoni.
Në fjalimin e tij, ai theksoi angazhimin e tij për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e komunitetit druz dhe riafirmoi vendin e tyre në shoqërinë siriane. Megjithatë, ai ia drejtoi pjesën më të madhe të fjalimit të tij fqinjit të Sirisë, Izraelit.
Njëzet persona u vranë këtë javë në sulmet izraelite ndaj ndërtesave qeveritare siriane në Damask dhe trupave qeveritare siriane në rajonin Suwayda.
Sipas kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, sulmet ishin të nevojshme për të “shpëtuar vëllezërit tanë Druze dhe për të eliminuar bandat e regjimit”.
Por Presidenti sirian, Al-Sharaa është i bindur se Izraeli po i përdor trazirat vetëm si pretekst për të sulmuar infrastrukturën civile dhe për të prishur përpjekjet për paqe dhe rindërtim në vendin e tij. “Ne, populli sirian, e dimë shumë mirë se kush po përpiqet të na fusë në luftë dhe të na përçajë”, tha Al-Sharaa.
“Nuk do t’u japim atyre mundësinë të fusin popullin tonë në një luftë që shërben vetëm për të ndarë atdheun tonë dhe për të mbjellë shkatërrim.”
Izraeli dëshiron të zgjerojë zonën e çmilitarizuar
Sulmet e fundit ndaj kryeqytetit sirian shenjojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të veprimeve ushtarake të Izraelit kundër Sirisë.
Pas përmbysjes së diktatorit Bashar al-Assad në fillim të dhjetorit 2024, Izraeli filloi të intensifikojë bombardimet ndaj Sirisë, me gjasa për të parandaluar rënien e armëve të regjimit në duart e qeverisë së re.
Charles Lister, drejtor i Iniciativës për Sirinë në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, ka numëruar gati 1.000 sulme izraelite ndaj Sirisë.
Që nga dhjetori i vitit 2024, Izraeli ka pushtuar 180 kilometra katrorë të vendit pa ndonjë kundërpërgjigje nga qeveria siriane, tha Lister.
Zyrtarisht, të dyja vendet kanë qenë në luftë që nga viti 1967. Ishte viti, kur Izraeli pushtoi Lartësitë e Golanit sirian, një pllajë me rëndësi strategjike në kufirin midis dy vendeve.
Në vitin 1981, Izraeli de facto aneksoi territorin, por bashkësia ndërkombëtare ende e konsideron atë territor sirian nën pushtimin ushtarak izraelit. Vetëm Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli i njohin Lartësitë e Golanit si territor izraelit.
Një zonë e çmilitarizuar shtrihet përgjatë kufirit izraelito-sirian, e monitoruar nga Kombet e Bashkuara që nga një marrëveshje armëpushimi e vitit 1974 midis dy vendeve.
Pas përmbysjes së Asadit, Izraeli i zhvendosi trupat e tij përtej kësaj zone.
“Izraeli po përpiqet të krijojë një zonë tampon informale në Sirinë jugore”, tha këtë javë për Bloomberg Ryan Bohl, analist i Lindjes së Mesme në firmën amerikane të analizës së riskut RANE. Në mars, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu bëri thirrje për çmilitarizimin e Sirisë jugore.
“Sulmet e fundit kanë për qëllim t’ia bëjnë të qartë qeverisë në Damask se Izraeli po i ndjek zhvillimet në Siri me interes dhe shqetësim”, tha për DW Yossi Mekelberg, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Regent’s në Londër.
”Një problem me qeverinë aktuale izraelite është se ajo njeh vetëm një rrugë: përdorimin e forcës.”
Pse tani?
“Në Izrael ka kërkesa për të mbrojtur druzët sepse ekziston një lidhje e gjatë dhe e thellë midis druzëve dhe hebrenjve në Izrael”, shpjegon Mekelberg.
Përafërsisht 150.000 druzë jetojnë në Izrael dhe burrat druzë shpesh shërbejnë në ushtrinë izraelite. Në Siri, druzët janë një nga pakicat më të mëdha, me afërsisht 700.000 anëtarë.
Megjithatë, koha e sulmeve të Izraelit ndaj Sirisë këtë javë gjithashtu nuk duket të jetë rastësi. Të mërkurën, Kryeministri Netanyahu u paraqit në gjykatë në lidhje me procedurat e vazhdueshme për korrupsion kundër tij.
Dhe qeveria e tij e koalicionit po bëhet gjithnjë e më e brishtë pasi dy parti u tërhoqën nga koalicioni në fillim të këtij muaji. Zgjedhjet e reja parlamentare mund të zhvillohen në fillim të vitit 2026.
Shtetet e Bashkuara, ashtu si Evropa, po rrisin presionin mbi Netanyahun që t’i japë fund luftës në Gaza, ndërsa bashkëqytetarët e tij vazhdojnë të kërkojnë kthimin e pengjeve që mbahen ende në Gaza nga Hamasi, grupi militant i klasifikuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara,Gjermania, Evropa dhe shumë shtete të tjera.
Netanyahut gjithashtu i hap probleme katastrofa humanitare në Gaza, e cila ka shkaktuar kritika të forta ndërkombëtare dhe brenda Izraelit.
“Duke pasur parasysh cinizmin dhe oportunizmin e pastër të Netanyahut, është plotësisht e kuptueshme që ai po përdor situata të tilla [si përplasjet me pakicën druze të Sirisë] për të shkëputur vëmendjen nga problemet ligjore që ka dhe krizën e qeverisë së tij të koalicionit”, thekson Mekelberg.
“Mbajtja aktive e të paktën një fronti dhe shitja e vetes si ‘Mister Siguria’ pavarësisht 7 tetorit, veçanërisht kur ai po shqyrton zgjedhjet e parakohshme, është pikërisht qasja e tij.”
Parlamenti izraelit hyn në pushimet verore javën e ardhshme, kështu që politika e brendshme do të jetë pezull deri në tetor.
Izraeli dëshiron një Siri të dobët
Izraeli dëshiron një shtet sirian që të mos paraqesë asnjë kërcënim për Izraelin, është i mendimit Ryan Bohl për Bloomberg.
Duket se kjo është pikërisht ajo që po ndodh tani, thekson Nanar Hawach, një analist i Sirisë në grupin e ekspertëve Ndërkombëtarë të Krizave.
“Damasku ka dalë i dobësuar nga luftimet e fundit. Atij i është dashur të tërhiqet ushtarakisht dhe ka humbur jo vetëm besimin e komunitetit druz, por edhe atë të komuniteteve të tjera që nuk janë të afërta me shtetin”, theksoi Hawach për DW. “Damasku ka humbur edhe gjeopolitikisht, pasi qeveria tani ka një prani më të vogël në jug, veçanërisht në Suvayda.”
Ai dyshon se Presidenti i përkohshëm Ahmed al-Sharaa mund ta mbajë premtimin për të mbrojtur pakicën druze. “Duket më shumë si një gjest politik sesa një garanci e besueshme”, thotë Hawach, duke theksuar se trupat qeveritare shihen si aleatë të milicive anti-druze dhe se ka pasur raportime të besueshme për keqtrajtim të civilëve druzë nga disa njësi.
“Për sa kohë që Damasku nuk i rishikon konceptet e tij të sigurisë dhe nuk i nxjerr para përgjegjësisë edhe forcat e veta të armatosura, do të jetë e vështirë të bindësh druzët dhe pakicat e tjera se qeveria mund ta garantojë vërtet sigurinë e tyre”, është i bindur Hawach./DW