Policia e Shtetit ka vijuar kontrollet në rrethin e Krujës, në kuadër të zbardhjes së autorëve dhe rrethanave të ngjarjes së 12 nëntorit 2025, e ndodhur pranë rrethrrotullimit të Rinasit.
Gjatë kontrolleve të kryera në një banesë në fshatin Zall, Fushë Krujë, u zbulua një arsenal të madh armësh, lëndësh plasëse dhe municionesh, përkatësisht:
3 kallëpë tritoli;
12 granata dore sulmuese;
sasi lëndësh plasëse të gatshme për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina);
3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë;
4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh;
6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
2 kg e 25 gramë cannabis.
Pas gjetjeve të bëra, u shpall në kërkim pronari i banesës, 48-vjeçari Ylli Zalla. Policia po punon intensivisht për kapjen e tij, si dhe po heton për të përcaktuar nëse ai ka lidhje me ngjarjen e ndodhur pranë rrethrrotullimit të Rinasit.
Në Rinas u ekzkeutua me armë zjarri Gilmando Dani, mik i Emiliano Shullazit, ndërsa mbeti i plagosur agjenti i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani.

















