“Po e vëzhgojmë çështjen Tahiri, por nuk përfshihemi”, kështu ka deklaruar Ministri i shtetit britanik për Europën dhe Amerikën Sir Alan Dunkan në një intervistë ekskluzive për Ora News.
“Krimi duhet goditur seriozisht, kriminelët nuk duhet t’ia hedhin”, është shprehur ministri.
Ai është shprehur se Britani bashkëpunim me Shqipërinë për shtetin ligjor.
Gjatë intervistës, Sir Alan Dunkan ka thënë se Britania e mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimi Europian.
“Biznesi lulëzon kur politika nuk i fut hundët”, ka thënë ndër të tjera ministri.
Intervista e plotë:
-Para së gjithash, cili është qëllimi i vizitës suaj në Tiranë?
Duncan: Shqipëria ka një rëndësi të veçantë për Mbretërinë e Bashkuar, marrëdhëniet tona janë shumë të mira. I gjithë rajoni ka rëndësi për ne dhe po bëhemi gati për të pritur Samitin e Vendeve të Ballkanit vitin tjetër, pra kam qenë në disa vende të tjera dhe ishte shumë e rëndësishme të vija këtu personalisht dhe jam shumë i kënaqur që jam këtu.
-Patët ndonjë takim interesant?
Duncan: Në fakt isha shumë i kënaqur të flisja në një konferencë mbi strategjinë për të luftuar krimin e organizuar , gjë e cila është shumë e rëndësishme. MB ka qenë shumë afër qeverisë në betejën kundër krimit të organizuar, pra ishte mirë që isha atje personalisht.
Me çfarë po e ndihmoni Shqipërinë në luftën kundër krimit të organizuar? Me logjistikë apo para?
Duncan: Po punojmë me qeverinë mbi krimin që në fakt nuk gjendet kurrë vetëm në një shtet. Zakonisht i kalon kufijtë midis shteteve, pra na prek gjithashtu edhe ne. Ne punojmë ngushtë për sa i përket bashkëpunimit policor dhe të sigurohemi se ky vend është i pajisur mirë për të goditur seriozisht krimin e organizuar dhe jo ta injorojë si një problem të tjetërkujt
-Krimi i organizuar është shndërruar në debatin kryesor në parlament, siç ju e dini mendoj. Çfarë rekordesh apo rezultatesh ka Shqipëria në luftën kundër tij?
Duncan: Nuk dua të gjykoj por ajo që dua të shoh është që MB, BE dhe SHBA të punojnë ngushtë me qeverinë, dhe sigurisht që qasja të jetë e drejtë, vendosmëria të jetë e fortë për ta zgjidhur problemin. Strategjia që u prezantua është një hap inkurajues për t’i bërë të gjithë të punojnë bashkë, ta trajtojnë këtë si një problem serioz dhe të sigurohemi se kriminelët nuk do të shpëtojnë
-A jeni i informuar për akuzat për përfshirjen e ish ministrit të brendshëm Saimir Tahiri në krimin e organizuar?
Duncan: Sigurisht që jam i informuar për akuzat, për zhvillimet por kjo është një çështje e sistemit të drejtësisë shqiptare, shtetit tuaj të së drejtës. Sigurisht ne vëzhgojmë por nuk na takon ne të përfshihemi dhe t’ju tregojmë se çfarë duhet të bëni.
-Po për sa i përket imazhit të Shqipërisë?
Duncan: Mendoj se imazhi i Shqipërisë po rritet që është gjë e mirë. Mendoj se lidhja me MB është shumë e fortë. Mendoj se roli juaj në rajon është shumë i rëndësishëm, pra ne po presim që ju të luani një rolin tuaj në Samitin e Ballkanit që shpresojmë ta mbajmë vitin tjetër në Londër
-A jeni të shqetësuar se politikanët shqiptarë mund të jenë të përfshirë në krimin e organizuar?
Duncan: Unë nuk jam në pozicionin të gjykoj. Nuk i di të gjitha veprimtaritë në Shqipëri por ajo që mund të them është që ne duam të punojmë me qeverinë për t’u siguruar që nëse ka njerëz që bëjnë gjëra të gabuara, të mos ia hedhin paq, të përjashtohen nga sistemi dhe jo të bëhen pjesë e sistemit. Pra ajo që ne duam është që në Shqipëri ku krimi i organizuar nuk është parë ndonjëherë në partneritet me qeverinë, bizneset apo me këdo, duhet të zhduket tërësisht nga vendi dhe kultura e tij në mënyrë që ju të keni qeveri të pastër, biznes të pastër dhe jo krim të organizuar, sepse nëse keni krim të organizuar, ai dëmton njerëzit e mirë, dëmton reputacionin e vendit dhe në fund të gjithë vuajnë.
–Ju përmendët më parë procesin e Berlinit që do të mbahet në MB vitin tjetër. SI po i ndihmon ky proces vendet e Ballkanin të integrohen në Bashkimin Evropian dhe a po përfitojnë këto vende nga ky proces?
Duncan: Ka shumë këndvështrime mbi këtë proces, ka të bëjë me përmirësimin ekonomik dhe politik dhe sigurisht kur një vend kërkon të bashkohet me BE, ka një proces pranimi ku vendi aplikant duhet të provojë se i përmbush kriteret për ta bërë të mundur t’i bashkohet BE. Kjo është midis BE dhe këtyre vendeve. Ne po dalim nga BE por derisa jemi në BE, ne e mbështesim plotësisht, nuk duam të shohim një BE të dobët dhe nëse vendet duan t’i bashkohen, le t’i ndihmojmë me procesin në mënyrë që të jenë të gatshëm për t’iu bashkuar, arsye kjo për të cilën ne po bëjmë këtë që po bëjmë për drejtësinë, në sektorin e krimit, është për t’iu ndihmuar me reformat që do t’jua bëjnë më të lehtë anëtarësimin në BE
-Ka një kriter të rëndësishme për sa i përket integrimit në BE që është procesi i vetingut apo reforma në drejtësi. Si po ecën ajo sipas jush, sepse ka ngecur që prej një viti?
Duncan: Ne duam të bashkëpunojmë plotësisht me ju për të përmirësuar sistemin tuaj, që të gjithë të shohin nga Shqipëria dhe të thonë, Po ata e luftuan krimin e organizuar, e zgjidhën. Kanë një shtet ligjor që respektohet nga të gjithë njerëzit në të gjitha fushat, ku askush nuk mund të mendojë se shteti i së drejtës është për njerëzit e tjerë, teksa vetë bëjnë gjërat e gabuara. Pra, ne jemi këtu për të ndihmuar dhe inkurajuar dhe jemi shumë optimistë për Shqipërinë
-A e ka mbështetjen e MB Shqipëria për integrimin në BE? Edhe pse ju po dilni nga BE?
Duncan: Po, ne gjithmonë kemi qnë mbështetës. E di që është paksa paradoks ku ne po shkojmë në rrugë tjetër dhe ju në një tjetër por gjatë kohës që jemi pjesë e BE, jemi plotësisht mbështetës për vendet që duan të anëtarësohen. Ne sapo mbajtëm referendumin dhe njerëzit vendosën që mos të qeveriseshin nga një parlament tjetër në Bruksel apo nuk donin të kishin aq shumë emigracion sa të mos kontrollonin dot kufijtë. Ne nuk duam të shohim një BE të dobët, ne duam të vazhdojmë të punojmë me BE në një mënyrë që të jetë e suksesshme.
-A ka ndonjë shans Shqipëria për të hapur negociatat Prillin që vjen?
Duncan: Përsëri nuk më takon të gjykoj. Nga Perspektiva e MB ne duam të inkurajojmë por ne nuk kemi kontroll në këtë. Ka lidhje me procesin e pranimit midis BE dhe ju si Shqipëri por nëse mund t’ju ndihmojmë të arrini në pozicionin ku BE thotë po, “mund të hapim këtë kapitull”,” jami dakord që i keni përmbushur kriteret”, atëherë ne do ta shohim këtë si një lajm të mirë.
-A është Shqipëria një vend i mirë për biznesmenët për të investuar? A ka një klimë biznesi të përshtatshme?
Duncan: Mendoj që po. Ju keni një papunësi të lartë te të rinjtë që është një problem ekonomik por nëse ka papunësi, do të thotë se ka fuqi punëtore. Shpresoj që njerëzit ta shohin Shqipërinë si një vend tërheqës për të investuar dhe e gjithë përpjekja për ta bërë veten tuaj tërheqës tek investitorët, përfshin të njëjtët kritere, ato që ju duhet të bëni mirë për t’iu bashkuar Bashkimit Europian dhe nëse i bashkoheni do të keni mundësi të mira për investime dhe për t’ia shitur tregut të fqinjëve.
-Po për sa i përket MB, cilat janë fushat që investitorët britanikë janë të interesuar për të investuar në Shqipëri?
Duncan: Për sa i përket biznesit, me gjasë funksionon më mirë kur politikanët nuk i fusin hundët. Është më mirë kur nuk janë politikanët që të thonë se çfarë të bësh, por është më mirë që të jenë individët të shohin një mundësi biznesi, ta kapin atë mundësi dhe detyra jonë si politikanë dhe detyra e politikanëve këtu në Shqipëri, është të krijojnë kushtet në të cilat vendimet individuale të biznesmenëve të lulëzojnë dhe të jenë të suksesshme
-Jeni i pari që për sa i përket biznesit nuk përmendët drejtësinë si kriter për të investuar.
Duncan: Sigurisht e përmenda kur fola për shtetin ligjor. Kjo e përfshin sistemin e drejtësisht më gjerësisht. Bëre mirë që më pyete se më dhe mundëësinë për ta forcuar këtë pikë.
-Si po shkon Brexit? Është një proces i vështirë?
Duncan: Është shumë kompleks, do të marrë kohë, do të kërkojë negociata të ndërlikuara dhe të detajuara me BE dhe një ndryshim legjislacioni në parlamentin tonë që do jetë i vështirë, por po ecën dhe do ta shtyjmë deri sa të kemi një marrëveshje të suksesshme shkëputjeje nga BE
-Pyetja e fundit, çfarë është qendra teknologjike MB-Shqipëri?
Duncan: Ka të bëjë me të rinj, me shumë ide teknologjike këtu në Shqipëri që është një gjë e mirë dhe kjo mundëson një mundësi të mirë për të rinjtë të nisin biznesin e tyre dhe të bëhen të pasur, për të përmirësuar veten dhe vendin e tyre.
-Pra pjesëmarrësit kanë mundësinë për të shkuar në MB dhe të fitojnë kontrata atje?
Duncan: Nëse fitojnë marrëveshje të mira, jam i sigurt që do të shkojnë në MB dhe nëse ndodh është gjë e mirë.
Burimi: Oranews.tv