Donald Lu, Ambasadori i SHBA – ve në Tiranë ka vendosur sot të ndajë disa nga idetë e tij për situatën politike në vend. Në një drekë pune me 6 gazetarë në rezidencën e tij ai ka folur “On dhe off records” për ngjarjet më të fundit politike. Deklaratat off records kanë mbetur thjeshtë për të informuar gazetarët ndërsa qëndrimet publike, janë pak a shumë këto:
Protesta e Opozitës
I pyetur për protestën e opozitës që vijon prej ditësh përpara selisë së qeverisë, Lu është shprehu: “Shtetet e Bashkuara dhe unë personalisht ndajmë disa nga synimet e protestës aktuale – thirrjen për zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin, veprime më vendimtare kundër narkotikëve. Ajo që nuk ndajmë janë disa nga metodat: bojkoti i parlamentit, çfarëdo kërcënimi për të bojkotuar apo bllokuar zgjedhjet, bllokimi i reformës zgjedhore, apo zbatimi i reformës në drejtësi. Sipas mendimit tim, persona seriozë nga e djathta dhe e majta duhet të kryejnë një dialog serioz lidhur me mënyrën për t’i bërë disa gjëra konkrete për të çuar përpara zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve.”
Vetingu
Për vetingun Lu është shprehur: “Shoh shumë përparim. Në dhjetor patët vendimin e guximshëm të Gjykatës Kushtetuese për të mbështetur ligjin e Vetingut. Po ashtu, pati thuajse 200 shqiptarë që aplikuan për t’u bërë komisionerë të vetingut. Ishte Avokati i Popullit që kreu një punë shumë serioze, profesionale për t’i shqyrtuar ata persona ndaj kërkesave kushtetuese. Dhe gjatë dy javëve të fundit, kemi pasur ekspertë ligjorë nga më të mirët nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet anëtare të Bashkimit Europian që kanë filluar një proces shumë intensiv për të shqyrtuar jo vetëm 29 persona, por të gjithë 193 personat që ishin në listë. Sot, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do t’ia dërgojë rekomandimet e veta Presidentit, i cili ka pesë ditë për t’ia dërguar Parlamentit. Ndaj shpresoj që në një pikë të këtij procesi, rekomandimet do të bëhen publike dhe publiku shqiptar do të ketë mundësinë të shohë se çfarë pune serioze e profesionale është kryer nga Avokati i Popullit dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Për pesë ditë, do të jetë përgjegjësia e parlamentit për të marrë përfundimisht hapin tjetër, i cili është formimi i komisioneve të vetingut. E kam dëgjuar skepticizmin, e përsëris, por si përgjigje them se kam besim 100% se kjo reformë do të ecë përpara. Është në Kushtetutë! Nuk është diçka që mund të zgjedhësh!
Në përgjigje të një pyetje mbi mënyrën se si përfundon protesta, Ambasadori Lu ju përgjigj:
Them se rruga më e mirë për të krijuar komisionet do të jetë me pjesëmarrjen e opozitës.
Kryetari i Parlamentit
Për rolin e Ilir Metës, Lu u shpreh: “Roli i Kryetarit të Parlamentit, në miratimin e amendamenteve kushtetuese në korrik ishte me rëndësi kritike dhe, pa hezitim, do të thoja që roli i tij tani është kritik. Kemi një dialog shumë të mirë me Z. Meta dhe kolegët e tij me qëllim që të përpiqemi të ndërtojmë një vizion të përbashkët mbi mënyrën se si të zbatohet kjo reformë”.
Çadra
Për çadrën e ngritur nga opozita Lu u shpreh:
“Le të ndalojmë së vrari mendjen çthjesht] për çadrën. Le të vrasim mendjen për çështjet nën të, çështjet serioze të ngritura nga opozita: zgjedhje të lira dhe të ndershme, drogën dhe krimin e organizuar, dekriminalizimin. Këto janë gjëra serioze. Dhe mendoj se të gjitha partitë politike duhet të kërkojnë për mundësi për të nxjerrë nisma që merren me këto çështje serioze.
Mendoj se çadra mund të jetë pozitive nëse shohim përparim me synimet. Çadra mund të jetë negative nëse shohim vetëm metodat, pra bojkotimi i parlamentit …apo prishja e zgjedhjeve. Prandaj, le të shpresojmë se çadra do të ketë ndikim pozitiv. Kjo sigurisht është ajo që shpresoj. Një gjë që diplomatët amerikanë thonë gjithmonë dhe me të cilën jam në një mendje është se një Shqipëri e fortë ka nevojë për një opozitë të fortë. Të gjithë, majtas e djathtas, në opozitë dhe qeveri, duhet të shpresojmë për një opozitë të fortë; kjo është pjesë e demokracisë në vendin tim dhe në Shqipëri.
Dekriminalizimi
Për dekriminalizimin, Lu ishte edhe më konkret: “Kemi nxitur procesin e dekriminalizimit, por në dy mënyra të veçuara: njëra është ligji i dekriminalizimit, i mirënjohur, dhe e dyta është nevoja për disiplinë brenda partive politike. Në SHBA, nëse dëshiron të jesh kandidat për një parti politike kryesore, duhet t’i nënshtrohesh një viti veting nga njerëz seriozë që shohin historinë tënde. Vetë partitë duhet të marrin përgjegjësi se kë kandidojnë. Dhe, vitin e kaluar në fakt bëmë një prezantim për disa prej partive politike se si e kryejmë ne këtë në Shtetet e Bashkuara. Dhe, tani e dimë që partitë politike kryesore po i nënshtrohen një procesi për të gjetur mënyrën se si do t’i vlerësojnë kandidatët. Ambasada jonë dhe shumë ndërkombëtarë të tjerë kanë shqyrtuar nga afër listën e kandidatëve, por është edhe më e rëndësishme që këtë kanë qenë duke e bërë vetë partitë politike dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këto janë institucione të Shqipërisë që kanë përgjegjësinë t’i parandalojnë personat nga kandidimi.
Prokurori i Përgjithshëm
Për debatin me Prokurorin e Përgjithshëm Lu u shpreh: “Dua të them se nuk kam asgjë kundër Z. Llalla. Ishim të shqetësuar që kishte ndërmarrë tri hapa të veçuara që dukeshin se ishin të vendosura për të minuar reformën në drejtësi dhe ne i kishim bërë një premtim popullit shqiptar se kur ta shihnim këtë do të ngrinim zërin. Mendoj se duhet t’i përgjigjemi këtij angazhimi.
Protestat
Për protestat ai tha: Kam një këshillë për ata që protestojnë dhe ajo është se shpresoj që do të vazhdojnë të përqafojnë reformat sepse mendoj që populli shqiptar qartësisht ka shumë shqetësime për tri çështjet që janë ngritur: zgjedhje të lira e të ndershme, dekriminalizimi dhe lufta kundër drogës. Por mendoj prapë se populli shqiptar dhe komuniteti ndërkombëtar e shohin me shumë rëndësi këtë proces reformash. Por ata nuk duhet të dëmtojnë procesin e reformës ndëkohë që punojnë për këto tri synime të rëndësishme. Në fakt, duhet të shkojnë bashkë.
BOJKOTI I PARLAMENTIT
Për largimin e PD këtë moment nga puna parlamentare ambasadori amerikan tha: “Siç e thashë, sigurisht që nuk jemi dakord me metodën e bojkotit. Do të ishte mirë nëse qeveria dhe opozita do të dialogonin dhe të arrinin njëfarë marrëveshjeje ku opozita të ndihej se mund të kthehej në parlament.
Të mos përqendrohemi çthjesht] tek çadra. Të përqendrohemi tek tri synimet dhe të shohim nëse mund të bëjmë diçka serioze lidhur me këto tri synime; do të ishte në interesin e njerëzve në të djathtë dhe atyre në të majtë, të qeverisë dhe të opozitës.
Po ashtu, e kam thënë tashmë se nuk bie dakord me mënyrën, e cila po bllokon këto reforma, por më lejoni të sugjeroj që një mënyrë që na kthen tek puna për këto reforma është dialogu midis opozitës dhe qeverisë dhe ecja përpara për këto tri çështje.
Tani, përgjegjësia për krijimin e komisioneve të vetingut dhe për këtë proces ikën nga duart e vëzhguesve ndërkombëtarë sot, kalon tek presidenti dhe brenda pesë ditësh duhet të shkojë në parlament.
POLITIKA E JASHTME E ADMINISTRATËS TRAMP
Në fund ai foli për politikën e Jashtme të Presidentit Tramp. Ai u shpreh: Ajo që kemi parë është interes i vazhduar kudo në botë për çështje që lidhen me çështje të terrorizmit, antikorrupsionit, sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit. Kjo qartësisht do të thotë se këto janë çështje që qeveria e re, administrata e re do t’i mbështesë sepse kanë lidhje të drejtpërdrejtë me interesat amerikane. Të gjitha qeveritë e Shteteve të Bashkuara i mbështesin këto çështje. Për sa i përket NATO-s, siç e patë Presidentin në fjalimin përpara parlamentit në vendin tonë dy ditë më parë, ku rishprehu angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s. Më duhet të them diçka shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Presim të marrë pjesë në samitin e NATO-s në May. Edhe KM Rama do të marrë pjesë. Ajo që pres është që do t’i bëjë thirrje të gjithë anëtarëve të NATO-s që të mbështesin shpenzime më të mëdha ushtarake, shpenzime më të mëdha për mbrojtjen, sepse ka një angazhim shumë të fortë, ashtu si presidenti i mëparshëm, që e gjithë Aleanca të paguajë pjesën që i takon. E dyta është zhvillimi i aftësive reale për anti-terrorizmin brenda NATO-s. Ka shumë mbështetje për këtë tashmë mes anëtarëve të NATO-s. çTë gjithë aleatët e NATO-s] janë viktima të terrorizmit në mënyra të ndryshme ndaj do të besojmë që NATO do të mund të ofrojë disa përgjigje që kanë të bëjnë me këtë sfidë.
Dreka zgjati thuajse 2 orë e 30 minuta!