Bota

Çfarë pritet të ndodhë në takimet e liderëve evropianë në Pragë?



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 08:55 - 03/10/22 |
Opi Nion

Praga do të jetë qendra e politikës evropiane këtë javë, pasi shumica e liderëve të kontinentit do të mblidhen për dy takime më 6 dhe 7 tetor për të diskutuar për luftën në Ukrainë dhe për implikimet e saj në fusha të ndryshme të politikave.

Radio Evropa e Lirë sjell më shumë informacione lidhur me atë se çfarë pritet të ndodhë në takimet në Pragë.

Çfarë po ndodh?

Liderët e të gjitha shteteve evropiane, përveç Bjellorusisë dhe Rusisë (po ashtu edhe shteteve të vogla evropiane) do të takohen në Kështjellën e Pragës më 6 tetor për të diskutuar për çështjet që lidhen me situatën e sigurisë në kontinent, teksa lufta në Ukrainë po vazhdon. Ky takim po ashtu është për të lansuar Bashkësinë Politike Evropiane – një ide që fillimisht është promovuar në muajin maj nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Një ditë më pas, më 7 tetor, kryeqyteti çek do të jetë nikoqir i një samiti joformal të BE-së që po ashtu do të mbahet në Kështjellën e Pragës. Liderët nga 27 shtetet anëtare do të bisedojnë për sanksionet e Rusisë, për krizën energjetike, teksa kontinenti pritet të përballet me një dimër të vështirë.

Kush do të jetë pjesëmarrës i takimeve të Pragës?

Ftesat u janë dërguar liderëve të 44 shteteve evropiane, dhe sipas diplomatëve të BE-së, ka pasur “përgjigje pozitive nga të gjithë, por disa nuk kanë kthyer ende përgjigje përfundimtare”.

Merret vesh se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ende po heziton, sikurse homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

Kryeministrja e re e Britanisë, Liz Truss, ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë, teksa raportohet se ajo po heziton të jetë pjesë e diçkaje që ka shumë “gjurmë gishtërinjsh” të BE-së në të. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do t’i adresohet të pranishmëve përmes video-lidhjes për shkak të situatës së sigurisë në shtetin e tij dhe në vend të tij, në Çeki do të udhëtojë kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal.

Këshilltarët e 44 liderëve janë takuar në Bruksel më 29 shtator. Prandaj, prospekti që liderët do të marrin pjesë është pozitiv, marrë parasysh edhe faktin që ministrat e Jashtëm nuk lejohet që të paraqiten së zëvendësues të liderëve të shteteve në këto takime. Afati i fundit për të konfirmuar pjesëmarrjen është po ashtu gjeneroz: kur të nisë takimi në orën 13:00 të 6 tetorit…

Çfarë saktësisht është Bashkësia Politike Evropiane?

Ndoshta më mirë është të fillohet me atë se çfarë nuk është. Kjo bashkësi nuk zëvendëson organizatat ekzistuese politike, strukturat apo proceset dhe nuk ka për qëllim të krijojë një të re – të paktën në këtë fazë. Diplomatët e BE-së vazhdimisht theksojnë se BE-ja është vetëm “lehtësuese” dhe ky nuk është “proces që udhëhiqet nga BE-ja” ose ndonjë lloj i “BE++”, që kandidatët për anëtarësim në bllok apo shtetet e mundshme kandidate në Ballkanin Perëndimor dhe në fqinjësinë lindore duhet të frikësohen se do të zëvendësojë procesin e zgjerimit të bllokut evropian.

Nuk do të ketë deklaratë përfundimtare dhe as ndonjë deklaratë të shkruar në fund të takimit. Burimet e Radios Evropa e Lirë, që folën në kushte anonimiteti, thanë se ata duan të shmangin që fundi i takimit të përcillet me zënka“ lidhur me formulimet dhe veto për tekstin përfundimtar që gjithsesi do të ishte i lehtë në përmbajtje për shkak të listës heterogjene të të ftuarve”. Në fund të takimit mund të mos ketë as deklarime për media.

Pra, çfarë është Bashkësia Politike Evropiane? Në thelb është një platformë e re për liderët evropianë që të takohen një apo dy herë brenda vitit për të diskutuar për çështjet kryesore. Shumë kanë dyshime se një platformë e tillë është e nevojshme, duke pasur parasysh se veçse ekzistojnë struktura sikurse Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Këshilli i Evropës, dhe siç u shpreh një diplomat: “shumë gjëra kanë nisur vetëm me një takim, është fillimi i procesit dhe ne duhet të presim që të shohim se çfarë do të ndodhë më pas”.

A do të ketë ndonjë “rezultat” konkret?

Në fund, do të ketë fotografi të përbashkët të të gjithë të pranishëmve. Përndryshe, rezultati është vetë takimi, që zakonisht nënkupton asgjë. Por, në kohën kur Rusia ka shpallur mobilizim të pjesshëm ushtarak dhe ka pretenduar se ka aneksuar disa pjesë të Ukrainës pas mbajtjes së referendumeve të rreme, vetë fakti që pothuajse të gjithë liderët e tjerë evropianë po takohen në të njëjtin vend, është një simbolikë.

Dita do të nisë me seancën plenare njëorëshe, para se liderët të ndahen në grupe prej 10-12 personash për të diskutuar për çështjet që lidhen me paqen, sigurinë e stabilitetin, por edhe për energjinë, klimën dhe mjedisin. Po ashtu, mund të ketë një diskutim ad-hok mbi migrimin dhe lëvizjen për ata që mund të jenë të interesuar, para se pasditja t’i kushtohet takimeve të ndryshme dypalëshe. Kjo ndoshta mund të jetë pjesa më interesante e ditës, pasi ka mundësi që të ketë diskutime midis liderëve të ndryshëm të Ballkanit Perëndimor dhe midis liderëve të Azerbajxhanit dhe Armenisë, me pjesëmarrjen e mundshme të presidentëve të Francës dhe Turqisë.

Edhe një tjetër seancë plenare do të mbahet gjatë darkës, para se të përmbyllet takimi. Një diplomat i BE-së, që ka njohur për planifikimin e takimit, tha se “e gjithë ideja është se nuk duhet të jetë shumë formale dhe strikte, dhe të gjithë të mund të flasin me njëri-tjetrin”. Rezultati, sipas një diplomati tjetër të BE-së, është të sjellë “të gjithë liderët evropianë në pozitë të barabartë në frymën e unitetit për të nxitur dialogun politik për çështjet e interesit të përbashkët” dhe se ata duhet të vijnë me ide dhe propozime në takimin e ardhshëm të Bashkësisë Politike Evropiane, që parashihet të mbahet vitin e ardhshëm. Preferohet që takimi i vitit të ardhshëm të mbahet në një shtet që nuk është pjesë e BE-së.

Çfarë do të ndodhë në takimin joformal të 7 tetorit?

Në këtë takim pritet të ketë diskutime të ashpra lidhur me përgjigjen e BE-së ndaj luftës në Ukrainë. Para këtij takimi, parashikohet që të arrihet pajtim për paketën e re të sanksioneve të BE-së. Dhe përderisa Brukseli ka gjasa që të shënjestrojë sektorin e çelikut, drurit, cigareve dhe kriptomonedhave të Rusisë, një prej sanksioneve që është propozuar, por që me gjasë nuk do të kalojë, është vendosja e një çmimi tavan për naftën në BE.

Hungaria veçse ka sinjalizuar se do të vendosë veto ndaj çdo sanksioni të mundshëm ndaj energjisë së Moskës dhe po ashtu disa shtete të tjera po ashtu kundërshtojnë një masë të tillë. Por, pritet të ketë një debat të ashpër për këtë temë dhe për mundësinë e vendosjes së çmimit tavan për gazin, teksa shtetet janë të ndara nëse kjo masë duhet të prekë vetëm Rusinë, apo të jetë për të gjithë. Ndarjet lidhur me atë se a duhet të mirëpriten apo jo rusët që po ikin nga mobilizimi ushtarak dhe nëse pakoja e re e ndihmës financiare për Ukrainën në vlerë prej 3 miliardë dollarësh duhet të jetë në formë grantesh apo huash, po ashtu mund të diskutohen në ditën e dytë takimeve në Pragë të Çekisë.

Pas