Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Çfarë përmban doktrina bërthamore e Rusisë

2024/07/31 at 8:43 AM
në Bota, Te Fundit
Kohë leximi: 6 min
A A
Çfarë përmban doktrina bërthamore e Rusisë

Presidenti Vladimir Putin thotë se Rusia mund ta modifikojë doktrinën e saj bërthamore lidhur me përdorimin e arsenalit atomik, një mesazh që duket qartë se drejtohet ndaj Perëndimit, në përpjekje për të parandaluar rritjen e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.


Ai paralajmëron se nëse Kievi godet brenda territorit rus me armë me rreze të gjatë veprimi të dërguara nga Perëndimi dhe nëse NATO-ja dërgon trupa në Ukrainë, kjo do të përbënte një përshkallëzim madhor dhe mund të sillte si rezultat një kundërpërgjigje të fuqishme.

Zoti Putin ka thënë se politika bërthamore e vendit nuk është e ngurtë dhe se ajo mund të ndryshohet në varësi të kushteve.

Që kur Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës në vitin 2022, presidenti Putin dhe figura të tjera të Kremlinit e kanë përdorur shpesh arsenalin bërthamor si instrument për të paralajmëruar Perëndimin.

Në ditën e parë të luftës, Putin tha se “kushdo që përpiqet të na frenojë, aq më tepër të paraqesë kërcënime për vendin dhe popullin tonë, duhet ta dijë se përgjigja ruse do të jetë e menjëhershme dhe me pasoja të pashembullta”.

Që kur filloi lufta, afro 2 vjet e gjysmë më parë, Perëndimi i ka dhënë Ukrainës armë të sofistikuara me vlerë miliarda dollarë, disa prej të cilave kanë goditur brenda territorit rus. Dhe megjithëse kërcënimet kanë qenë më të shumta nga Kremlini – i cili madje ka vendosur edhe armë bërthamore në Bjellorusi, pranë kufirit me Ukrainën – deri sot paralajmërimet ruse kanë mbetur të kufizuara tek retorika.

Por çfarë mund të shkaktojë një përgjigje bërthamore?

I pyetur për një gjë të tillë në qershor nga agjencitë ndërkombëtare të lajmeve, zoti Putin përmendi të ashtuquajturën doktrinë bërthamore të Rusisë.

“Shikoni formulimin e saj. Nëse veprimet e dikujt kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial, ne shqyrtojmë mundësinë e përdorimit të të gjitha mjeteve që kemi në dispozicion”, tha zoti Putin.

Tani zërat më të ashpër të Moskës po i kërkojnë atij të ndryshojë doktrinën duke e ulur pragun për përdorimin e armëve bërthamore dhe presidenti rus thotë se dokumenti mund të modifikohet, në varësi të situatës globale.

Çfarë është doktrina bërthamore e Rusisë?

E njohur zyrtarisht si “Parimet themelore të politikës shtetërore për parandalimin bërthamor”, doktrina u nënshkrua nga zoti Putin në vitin 2020 dhe përcakton rastet kur Rusia mund të vërë në përdorim arsenalin e saj atomik, më i madhi në botë.

Sipas këtij dokumenti, armët bërthamore janë “një mjet parandalimi”, dhe përdorimi i tyre do të ishte një “masë e skajshme dhe e detyruar”. Në doktrinë thuhet se Rusia “ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për të reduktuar kërcënimin bërthamor dhe për të parandaluar përkeqësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare deri në pikën e konflikteve ushtarake, përfshirë ato bërthamore”.

Dokumenti thekson se “parandalimi bërthamor ka për qëllim që t’i bëjë të qartë një kundërshtari të mundshëm se në rast të një agresioni kundër Federatës Ruse dhe/ose aleatëve të saj, kundërpërgjigjja është e pashmangshme”.

Në çfarë rastesh parashikohet përdorimi i armëve bërthamore?

Sipas doktrinës, Rusia mund t’i përdorë këto armë “si kundërpërgjigje ndaj përdorimit të armëve bërthamore dhe llojeve të tjera të armëve të shkatërrimit në masë kundër saj dhe/ose aleatëve të saj, si dhe në rast agresioni kundër Federatës Ruse me armë konvencionale, kur vetë ekzistenca e shtetit është në rrezik”.

Në dokument detajohen rastet konkrete të aktivizimit të këtyre armëve:

Nëse ka informacion të besueshëm mbi lëshimin e raketave balistike që kanë në shënjestër territorin e Rusisë ose aleatëve të saj.

Nëse armë bërthamore ose armë të tjera të shkatërrimit në masë përdoren kundër Rusisë ose aleatëve të saj.

Nëse një sulm me armë konvencionale kërcënon ekzistencën e Rusisë.

Nëse ndërmerren sulme ndaj objekteve të rëndësishme të qeverisë ose ushtrisë ruse, që mund të minojnë aftësinë e vendit për një kundërpërgjigje bërthamore.

A ka pasur sulme që i janë afruar kufirit të përcaktuar për përdorimin e këtyre armëve?

Pasi Rusia sulmoi pjesë të Ukrainës verilindore pranë qytetit të Kharkivit, Uashingtoni lejoi Kievin të përdorë armë me rreze më të gjatë veprimi dërguar nga Shtetet e Bashkuara për sulme në rajonin kufitar brenda territorit rus. Por rrezja e veprimit e këtyre sulmeve ka qenë e kufizuar dhe nuk duket se ato paraqesin kërcënim ekzistencial sipas doktrinës bërthamore.

Megjithatë, zërat më të ashpër të Moskës kanë përmendur një sërë sulmesh ukrainase ndaj bazave ajrore ruse ku ka avionë luftarakë me aftësi bërthamore me rreze të gjatë veprimi, si edhe goditjet ndaj radarëve paralajmërues.

Ata thonë se këto raste justifikojnë përdorimin e armëve bërthamore, siç parashikohet në doktrinë.

Zyrtarët rusë nuk kanë komentuar mbi sulmet ndaj objektivave më të ndjeshme. Radarët për paralajmërim të hershëm kanë si objektiv të diktojnë lëshimin e mundshëm të raketave amerikane, në mënyrë që Rusia të mund të aktivizojë raketat e saj duke parandaluar kështu shkatërrimin e tyre.

James Acton, bashkëdrejtor i programit të politikës bërthamore në organizatën Carnegie, shprehej në një analizë së fundmi se sulmet ukrainase ndaj radarëve të paralajmërimit të hershëm mund të krijojnë përshtypjen tek Kremlini se Uashingtoni i ka inkurajuar këto sulme në përpjekje për të dobësuar sistemin parandalues bërthamor të Rusisë.

“Nëse Moska beson se Uashingtoni mund të kryejë një sulm të suksesshëm parandalues ndaj forcave të saj bërthamore, kjo e shton rrezikun që Rusia të ndërmarrë një sulm bërthamor në shkallë të gjerë bazuar në një alarm të rremë ose të keqinterpretuar,” thotë ai.

Çfarë ndryshimesh po merren nën shqyrtim?

Kërcënimet bërthamore të Kremlinit janë reduktuar kohët e fundit, ndërsa Moska ka shënuar përparim në fushën e betejës në Ukrainë. Megjithatë, ka pasur edhe thirrje në Rusi për ndryshimin e doktrinës bërthamore dhe zoti Putin ka thënë se ajo mund të modifikohet, në varësi të zhvillimeve globale.

Ka pasur zëra që kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për ta bërë atë më të ashpër, duke argumentuar se dokumenti aktual është shumë i butë dhe lë vend për interpretime. Ata thonë se doktrina nuk e ka frenuar Perëndimin të rrisë ndihmën për Ukrainën dhe krijon përshtypjen se Moska nuk do t’i përdorte kurrë armët bërthamore.

Dmitri Trenin, ekspert për marrëdhënie me jashtë në Institutin e Ekonomisë Botërore dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, një institut i financuar nga Kremlini, sugjeron rishikimin e doktrinës në mënyrë që ajo të parashikojë se Rusia mund të jetë e para që godet me armë bërthamore kur “interesat jetike kombëtare janë në rrezik”, si në rastin e Ukrainës.

“Detyra urgjente në vitin e tretë të konfrontimit ushtarak është të parandalohet angazhimi i mëtejshëm i NATO-s,” thotë ai.

“Nëse nuk e bëjmë këtë, përshkallëzimi i vazhdueshëm nga Perëndimi do të çojë në një përplasje të drejtpërdrejtë mes ushtrisë ruse dhe NATO-s, gjë që mbart rrezikun e një lufte bërthamore globale”.

Sergei Karaganov, një ekspert i politikës së jashtme që këshillon Kremlinin, i ka kërkuar gjithashtu Presidentit Putin të ndryshojë doktrinën, duke ulur pragun e përdorimit të armëve bërthamore.

“Shpresoj që të ndryshohet së shpejti në mënyrë që t’ju japë zyrtarisht të drejtën për t’iu përgjigjur çdo sulmi në territorin tonë me një sulm bërthamor,” iu drejtua ai udhëheqësit rus gjatë një forumi në Shën Petersburg.

“Shpresoj që një dispozitë e tillë t’i shtohet doktrinës sonë në mënyrë që kundërshtarët tanë të zmbrapsen”, vazhdoi ai.

Presidenti Putin tha se aktualisht nuk sheh kërcënime që do të justifikonin përdorimin e armëve bërthamore, por ai e la të hapur mundësinë për rishikimin e dokumentit.

“Kjo doktrinë është një instrument i adaptueshëm. Ne po ndjekim me kujdes se çfarë po ndodh në botën përreth nesh dhe nuk i përjashtojmë ndryshimet,” tha ai.

Nevoja për të modifikuar dokumentin, tha ai, është nxitur nga shqetësimet se Perëndimi po shqyrton mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore me kapacitet të ulët. Zoti Putin nuk dha detaje, por komentet e tij mund t’u referohen diskutimeve në Shtetet e Bashkuara për vendosjen e raketave bërthamore me kapacitet të ulët të lëshuara nga nëndetëset.

Përkrahësit e kësaj ideje thonë se armë të tilla nevojiten për t’u bërë ballë kërcënimeve ruse, ndërsa kritikët argumentojnë se do të rrisnin rrezikun e luftës.

“Ne jemi në dijeni të ideve që qarkullojnë në qarqet e ekspertëve në Perëndim se po zhvillohen pajisje bërthamore me fuqi jashtëzakonisht të ulët dhe se ato mund të përdoren. Në vetevete kjo nuk përbën diçka veçanërisht të tmerrshme”, tha zoti Putin. “Por është detyra jonë ta ndjekim me vëmendje një gjë të tillë dhe pikërisht këtë po bëjmë”. VOA



Ju sugjerojmë

Zgjedhjet/ Nesër pritet miratimi i rezultateve për Tiranën, Elbasanin dhe Durrësin
Aktualitet

Zgjedhjet/ Nesër pritet miratimi i rezultateve për Tiranën, Elbasanin dhe Durrësin

23 Maj, 2025 7:56 pm
Sulm me thikë në stacionin e trenit në Hamburg të Gjermanisë, plagosen disa persona
Bota

Sulm me thikë në stacionin e trenit në Hamburg të Gjermanisë, plagosen disa persona

23 Maj, 2025 7:47 pm
Të paktën 60 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
Bota

Të paktën 60 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

23 Maj, 2025 7:31 pm
Gjykata i jep të drejtë Harvard, pezullon vendimin e administratës Trump
Bota

Gjykata i jep të drejtë Harvard, pezullon vendimin e administratës Trump

23 Maj, 2025 7:29 pm
Seanca plenare, Bardhi pas mbledhjes: Sot në Kuvend do shkojnë vetëm deputetët e papërjashtuar! Ja përgjigja për paralajmërimin e Policisë…
Aktualitet

Bardhi: Ku shkuan 50 mln euro të shqiptarëve? SPAK të hetojë aferën e…

23 Maj, 2025 7:23 pm
Apolonia përball Egnatias, nesër luhet finalja e Kupës së Shqipërisë për vajza
Sport

Apolonia përball Egnatias, nesër luhet finalja e Kupës së Shqipërisë për vajza

23 Maj, 2025 7:10 pm
Kush do ta zbatojë vendimin për Dodikun?
Bota

Pas shpalljes non grata nga SHBA, Franca e Gjermania vendosin sanksione ndaj Dodik

23 Maj, 2025 6:58 pm
Elisa Spiropali në Janinë, takim  me homologun e saj Nikitas Kaklamanis
Politikë

Elisa Spiropali në Janinë, takim me homologun e saj Nikitas Kaklamanis

23 Maj, 2025 6:42 pm
Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë rreth 800 të burgosur
Bota

Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë rreth 800 të burgosur

23 Maj, 2025 6:19 pm
Masat e BE, Kurti: Të padrejta, s’mund të bëjmë kompromis me kushtetutshmërinë
Rajoni

Kurti shkarkon zëvendësministrin pas deklaratave për ndërkombëtarët

23 Maj, 2025 6:06 pm
Para
Bashkitë dështojnë me mbetjet/ Kostot janë rritur, shëndeti i popullatës në rrezik

Bashkitë dështojnë me mbetjet/ Kostot janë rritur, shëndeti i popullatës në rrezik

Kush e vrau liderin politik të Hamasit? Reagon Forca e Mbrojtjes së Izraelit

Kush e vrau liderin politik të Hamasit? Reagon Forca e Mbrojtjes së Izraelit

Flakët përfshijnë fabrikën për prodhimin e këpucëve

Flakët përfshijnë fabrikën për prodhimin e këpucëve
















TE FUNDIT

Zgjedhjet/ Nesër pritet miratimi i rezultateve për Tiranën, Elbasanin dhe Durrësin

Zgjedhjet/ Nesër pritet miratimi i rezultateve për Tiranën, Elbasanin dhe Durrësin
23 Maj, 2025

Në seancën e sotme publike, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, miratoi tabelat përmbledhëse të rezultateve për subjektet zgjedhore dhe...

Lexo më shumë

Sulm me thikë në stacionin e trenit në Hamburg të Gjermanisë, plagosen disa persona

Sulm me thikë në stacionin e trenit në Hamburg të Gjermanisë, plagosen disa persona
23 Maj, 2025

Një sulm me thikë ka ndodhur ditën e sotme në Stacionin Qendror të Hamburgut. Sipas informacioneve të mediave gjermane, mësohet...

Lexo më shumë

Të paktën 60 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë

Të paktën 60 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë
23 Maj, 2025

Të paktën 60 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, njoftoi të...

Lexo më shumë

Gjykata i jep të drejtë Harvard, pezullon vendimin e administratës Trump

Gjykata i jep të drejtë Harvard, pezullon vendimin e administratës Trump
23 Maj, 2025

Është  pezulluar përkohësisht vendimi i administratës Trump për t’i ndaluar Universitetit të Harvardit regjistrimin e studentëve ndërkombëtarë. Mësohet se vendimi...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com