Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi në një dalje për mediat pas seancës së sotme të Kuvendit, tha se Rama ka frikë, ndërsa shtoi se kreu i qeverisë ka kërkuar mbrojtje policore.
Boçi shtoi se deputetët e opozitës kanë mbledhur 43 firma për Komisionin Hetimor për çështjen McGonigal dhe takimet e tij me kryeministrin Rama.
Deputeti shtoi se opozita insiston që kërkesa e tyre të shkojë deri në fund.
“Ka një vendosje të furgonave të policisë, siç duket në atë frikën në rritje të zotit Rama kërkon dhe mbrojtje policore. Burracakët dhe tradhtarët, pavarësisht kohës ku jetojnë, kanë të njëjtën pamje dhe veprojnë në të njëjtën mënyrë. Siç fshihet Rama pas të vërtetës. Kemi kërkuar mocion debat, por është shmangur këtij debati. Këto veprime tregojnë alarmin e tij, që është i zhytur në vepra të rënda penale, cënim të Kushtetutës së vendit.
Çështja kryesore është foto e zotit Rama me McGonigal, apo dhe vizitat e tij private, apo gjysmë private. Nuk është çështja e një fotoje të bërë para 5 vitesh. Ka një tendencë propagande për të shkëputur vëmendjen nga ajo që po ndodh sot. Kemi kërkuar ngritjen e komisionit Hetimor Rama-McGonigal. Kemi marrë 43 firma. Kërkesa jonë do shkojë deri në fund, do e nxjerrim nga vrima ku është futur. ”, tha Boçi./Opinion.al