Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur që të shqyrtojë çështjen e mandatit të Agim Kajmakut ditën e premte.
Sipas njoftimit zyrtar që mban firmën e kryetarit Klement Zguri, Komisioni do të mblidhet për të shqyrtuar rezultatet e verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku.
Përgjigjja e Interpol Greqi dhe Interpol Tirana për Prokurorinë e Përgjithshme ka qenë se Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto i arrestuar në Greqi në vitin 2003 janë i njëjti person pasi i përputhen shenjat e gishtërinjve.
Nga ana tjetër Partia Demokratike i ka dërguar sot një kërkesë KQZ-së ku i kujton se për mos deklarimin e arrestimit në Greqi nga Agim Kajmaku, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të mandatit dhe dënimin e tij me deri në 4 vjet burg. /Opinion.al