Është shtyrë sërish gjyqi ndaj deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji për çështjen “Babale”.
Mësohet se shkak për shtyrjen është bërë kërkesa e mbrojtjes së personave të pandehur në këtë proces.
Gjithashtu mësohet se një nga anëtarët e trupit gjykues ka njoftuar se nuk do të merrte pjesë në seancën e sotme.
Ndërsa, deri në këto momente ende nuk është informuar se kur do të mbahet seanca e radhës.
Kujtojmë se Salianji u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë në lidhje me çështjen “Babale”” dhe u dënua me një vit burg nga gjykata e Shkallës së Parë. Në apel e ka çuar çështjen dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili u dënua me 6 muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti.
Nëse Apeli do të konfirmojë vendimin e Shkallës së Parë atëherë deputeti Salianji, rrezikon burgun.
Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi u shpallën fajtorë nën akuzën e “Kallëzimit të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës.