Aktualitet

Çela në Kuvend: Prioritet lufta kundër pastrimit të parave, koordinimi me SPAK…



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 13:09 - 14/07/22 |
Opi Nion

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka prezantuar në Kuvend raportin për vitin 2021.

Gjatë raportimit kryeprokurori deklaroi se prioritet ka qenë lufta kundër pastrimit të parave.

“Lufta kundër pastrimit të parave ka qenë objektiv prioritar. U vu në funksion sistemi elektronik për të përfituar të dhëna gjithëpërfshirëse. Në kuadrin e forcimit të kapaciteteve prokuroria ka bashkëpunuar me institucione ndërkombëtare”,-tha ai.

Gjithashtu Çela tha se për sa i përket hetimeve për rastet e korrupsionit prokurorët kanë rritur rolin aktiv për hetimet proaktive.

Ndërsa për sa i përket dekriminalizimit, kryeprokurori evidentoi se shkak kryesor i mos përfundimit të verifikimit të të dhënave është vonesa e përgjigjeve për informacionin e kërkuar nga autoritetet e huaja si dhe mungesa e një regjistri për qytetarët shqiptarë që janë dënuar jashtë vendit.

Në përmbushje të detyrimit të parashikuar në nenin 148/b shkronja “d” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 104 të ligjit nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, kuvendit i është paraqitur raporti vjetor mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2021. Në vijim po ju parashtroj një përmbledhje të pikave kryesore të këtij raporti.

  • TREGUESIT KRYESORË

Gjatë vitit 2021 prokuroria ka trajtuar në total 61015 materiale , që përbën një rritje prej 4,35 % në krahasim me vitin 2020. Janë ndjekur nga prokurorët 47512 procedime penale, me një rritje prej 5,97 % në krahasim me një vit më parë, nga të cilat 28368 janë procedime penale të regjistruara në 2021, edhe këto me një rritje prej 1,71 %. Ndërkohë rezulton një rritje e procedimeve penale të mbartuara në masën 11,65 %. Prokuroritë kanë vendosur mosfillimin e procedimit për 13503 referime dhe kallëzime penale.

Përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë edhe në vitin 2021 e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë. Sa i përket tendencës, vërehet se për vitin 2021 rritjen më të lartë e ka qarku Kukës me 36 %, ndërsa qarku Dibër ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, por që rezulton me rritje 4,62 % krahasuar me një vit më parë.

Evidentohet se veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 28,88 % të numrit të përgjithshëm, me një rritje 9,62 % krahasuar me vitin 2020. Ato pasohen nga vjedhjet e pasurisë, që përbëjnë 27,86 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, por me ulje 12,67 % krahasuar me një vit më parë.

Referuar të dhënave statistikore dhe informacioneve të drejtuesve të prokurorive në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm, evidentohet se në vitin 2021 janë filluar kryesisht 125 procedimeve penale ose me rritje 104,91 % të numrit të procedimeve të filluara kryesisht krahasuar me vitin 2020 që ishte 61 procedime.

Prokurorët sipas kërkesave dhe procedurave ligjore, në vitin 2021 kanë rritur rolin aktiv në kryerjen e hetime proaktive me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit në 655 procedime penale ose me rritje 3.9 % të numrit të procedimeve proaktive krahasuar me vitin 2020. Ky proces i ka shërbyer, si parandalimit dhe ndërprerjes së mëtejshme të veprimtarisë kriminale, ashtu dhe goditjes me arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 640 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale.

-Gjatë vitit 2021 janë përfunduar 25688 çështje 40,86 % janë dërguar për gjykim, 22,62 % janë pushuar, 33,72 % janë pezulluar dhe 2,8 % janë transferuar në prokuroritë kompetente.

-Nga prokuroritë është ngritur dhe përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit për 10507 procedime penale (rritje prej 5,07 % në krahasim me vitin 2020) me 12353 të pandehur (rritje prej 7,14 % në krahasim me vitin 2020). Gjithashtu, janë paraqitur në gjykatë 14573 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal (rritje 24,12 % në krahasim me vitin 2020).

Sa i përket gjykimeve të posacme, nuk janë të kënaqshme të dhënat për numrin e kërkesave për urdhra penalë dhe miratimin e marrëveshjeve të fajësisë që kanë pësuar ulje të ndjeshme, me përjashtim të gjykimeve të drejtpërdrejta që kanë një rritje nga një vit më parë.

Në lidhje me vendimet e gjykatës, rezulton se janë dënuar 8371 të pandehur, dhe për 144 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose krahasuar me vitin 2020 me rritje 4,35 % e numrit të pandehur të dënuar dhe ulje 5,26 % e numrit të pandehurve të deklaruar të pafajshëm.

  1. II) Lufta kundër pastrimit të parave, krimeve financiare dhe hetimeve pasurore, edhe për vitin 2021 ka qenë objektiv prioritar institucional, në përmbushje të kërkesave e rekomandimeve të institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare.

U përgatit dhe u vu në funksion sistemi elektronik e-tracking PRESTO, me synim për të përftuar të dhëna statistikore gjithëpërfshirëse në këtë aspekt. Rezultatet e arritura në zbatimin e këtij sistemi janë vlerësuar në vijimësi nga ekspertët e ICRG/FATF në raport-progresin për zbatimin e këtij plani veprimi.

-Në kuadrin e forcimit të kapaciteteve profesionale, Prokuroria e Përgjithshme ka bashkëpunuar me projektet ndërkombëtare që asistojnë sistemin e drejtësisë penale, të cilët kanë mbështetur dhe kontribuar në aktivitetet që lidhen si me trajnimet e prokurorëve dhe opgj në këtë drejtim, ashtu dhe në drejtim të përgatitjes së një manuali për hetimin e pastrimit të produkteve të veprës penale.

-Rezultati i këtyre masave, është progresi i evidentuar me rritjen e efektivitetit në hetimet për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale pasi sipas të dhënave statistikore në vitin 2021 evidentohet se janë regjistruar 301 procedime penale të reja me 56 të pandehur, dhe 18 procedime me 33 të pandehur u dërguan për gjykim, si dhe 21 persona janë dënuar. Këto tregues evidentojnë një rritje prej 7.01 % të procedimeve të regjistruara dhe një rritje prej 31.25 % të personave të dënuar për nenet 287 dhe 287/b të Kodit Penal.

Megjithë rezultatet e arritura, vlerësoj se ende mbetet shumë për të bërë në drejtim. Kjo kërkon patjetër një angazhim serioz të të gjitha institucioneve përgjegjëse.

III) Korrupsioni

Prokurorët, sipas kërkesave dhe procedurave ligjore, në vitin 2021 kanë rritur rolin aktiv në kryerjen e hetime proaktive me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit në 59 procedime penale për veprat penale të korrupsionit dhe që lidhen me detyrën. Ky proces ka shërbyer për arrestimin në flagrancë apo ndalimin e 40 personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale në kompetencë të prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm.

Këto prokurori kanë transferuar 11 procedime/referime penale në Prokurorinë e Posaçme vetëm për vepra penale në fushën e korrupsionit në kompetencë lëndore të asaj prokurorie.

Referuar të dhënave statistikore për vitin 2021 për këtë grup-veprash të korrupsionit në kompetencë të juridiksionit të përgjithshëm, janë regjistruar 100 procedime me 87 të pandehur dhe 54 procedime me 55 të pandehur janë dërguar për gjykim ose krahasuar me vitin 2020 me rritje 3 herë të numrit të procedimeve të regjistruara dhe me rritje të numrit nga 3 në 54 procedime dhe nga 3 në 55 të pandehur të dërguar për gjykim.

  1. IV) Dhuna në familje

Referuar të dhënave statistikore për veprat penale që lidhen me dhunën në familje, në vitin 2021 janë regjistruar 1406 procedime penale, me 1234 të pandehur ose me tendenca në rritje 12,39 % të procedimeve dhe 10,77 % të pandehurve të regjistruar. Janë dërguar për gjykim 1037 procedime me 1119 të pandehur, ose me rritje 13,45 % të procedimeve dhe 14,3 % e të pandehurve të dërguar për gjykim, në krahasim me vitin 2020.

  1. i) Efektiviteti i ndjekjes penale ka qenë i lartë edhe lidhur me veprën penale të dhunës në familje, ku evidentohet se çështjet e dërguara në gjyq janë në përqindje shumë më të lartë se ato të pushuara, përkatësisht 84.04 % dërguar gjyqit dhe 15.96 % të pushuara
  2. ii) Sa i përket politikës penale në veprën penale “Dhuna në familje” kërkesat e prokurorëve lidhur me masat e sigurimit për persona që kanë kryer këtë vepër janë të ashpra, ku 89.22% janë kërkesa për masa sigurimi me arrest. Ndërkohë, në analizë të nivelit të masës së dënimit me burgim evidentohet se në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020: -janë ulur 10 % numri i kërkesave për dënim në minimumin që parashikon ligji, -janë rritur 21.32 % numri i kërkesat për dënimin mesatar që parashikon ligji, dhe -është rritur në shifra të ulta dënimi maksimal me burgim.
  3. V) Të miturit
  4. i) Referuar të dhënave statistikore për vitin 2021, bazuar në disponimet e Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, janë regjistruar 704 procedime penale ku përfshihen të miturit në konflikt me ligjin, me rritje 47,28 % të numri të procedimeve krahasuar me vitin 2020. Janë regjistruar 744 të mitur në konflikt me ligjin si të pandehur ose persona nën hetim për kryerjen e veprave penale, me rritje 41,71 % të numrit të pandehurve/personave nën hetim të mitur në konflikt me ligjin krahasuar me vitin 2020.
  5. ii) Ndaj të miturve në konflikt me ligjin janë vendosur 32 masa sigurimi personal arrest në burg, ose për rreth 4,3 % të të miturve të pandehur ose persona nën hetim, ose me ulje 1,6 % këtij raporti në përqindje të të miturve në konflik me ligjin me masë sigurimi arrest krahasuar me vitin 2020.

iii) Sa i përket aplikimit të masës alternative të shmangies, nga të dhënat statistikore rezulton se: në kuadrin e procedimeve të mosfilluara në 164 raste është aplikuar shmangia, ndërkohë për çështjet e pushuara shmangia është aplikuar në 251 raste. Aplikimi i shmangies nga dënimi i të miturit në konflikt me ligjin është rritur në masën 96,24 % krahasuar me vitin 2020.

  1. iv) Sipas të dhënave statistikore evidentohet se viktima të mitur janë regjistruar në 612 procedime/çështje me 657 viktima të mitur, prej të cilëve 285 femra dhe 372 meshkuj, të cilëve u janë siguruar të gjitha të drejtat dhe garancitë procedurale penale.

Në këtë kuadër, nga Prokurori i Përgjithshëm janë miratuar, si udhëzimi i përgjithshëm nr.8/2021 “Për hetimin dhe ndjekjen penale efektive të veprave penale me të mitur në konflikt me ligjin, viktim dhe ose dëshmitar” me synim rritjen e efiçencës, efektivitetit në hetimin dhe ndjekjen penale të çështjeve me/dhe ndaj të miturve, në konflikt me ligjin, viktimë dhe/ose dëshmitar, ashtu dhe urdhëri nr.87/2021 “Për miratimin e rregullave për përdorimin e sistemit të integruar të të dhënave të drejtësisë penale për të mitur” me synim mbledhjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave edhe për viktimat të mitur dhe femra nga vepra penale, si dhe po zbatohen në sistemin e prokurorive me juridiksion të përgjithshëm.

  1. VI) Krimet zgjedhore

Prokuroria e Përgjithshme, në përmbushje të detyrave kushtetuese e ligjore dhe në kuadrin e ndjekjes së rekomandimit prioritar të KM për ndjekjen me përparësi të kallëzimeve penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve,

Përveç miratimit të masave administrative dhe mbikqyrjes në zbatimin e tyre nga Prokuroria e Përgjithshme, në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm, drejtuesit e prokurorive morën masat e nevojshme për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të gadishmërisë në periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhore, si dhe kanë raportuar periodikisht të dhëna për veprat penale që kanë prekur zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, raporte të cilat i janë dërguar institucioneve kushtetuese përkatëse (KQZ) dhe publikuar në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme.

-Gjithashtu, është rritur bashkëpunimi e koordinimi me Pokurorinë e Posaçme, Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe agjencitë ligjzbatuese në kryerjen e disa hetimeve proaktive, si dhe janë rritur procedimet e regjistruara dhe të dërguara në gjyq, veçanërisht është rritur numri i të pandehurve të dërguar për gjykim.

Kështu, referuar të dhënave statistikore, evidentohet se në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm janë regjistruar dhe ndjekur 47 procedime penale për vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, 7 çështje penale me 52 të pandehur janë dërguar për gjykim, dhe janë dënuar 46 persona, të cilët sipas veprave penale janë: -për “Pengim të subjekteve zgjedhore” të parashikuar nga neni 325 i K.Penal është dërguar për gjykim 1 çështje me 1 të pandehur; -për “Falsifikim të materjalit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhësve” të parashikuar nga neni 326 i K.Penal janë dërguar për gjykim 2 çështje me 6 të pandehur dhe janë dënuar 19 persona; -për “Shkelje të fshehtësisë së votimit” të parashikuar nga neni 327 i K.Penal janë dërguar për gjykim 2 çështje me 2 të pandehur dhe janë dënuar 2 persona; dhe -për veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar” parashikuar nga neni 327/a i K.Penal janë dërguar për gjykim 2 çështje me 43 të pandehur dhe janë dënuar 19 persona.

Në raportin vjetor që ju është dërguar, veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, të parashikuara nga nenet 328 e 328/b të K.Penal, për të cilat janë regjistruar 13 procedime me 10 të pandehur, janë trajtuar në grup veprat penale në fushën e korrupsionit. Këto dy vepra penale me ndryshimet në nenin 39 të ligjit nr.41/2021 që ka ndryshuar nenin 75/a të K.Pr.Penale, hyrë në fuqi me datë 1 qershor 2021, i kanë kaluar për kompetencë lëndore Prokurorisë së Posaçme.

VII) Koordinimi me Prokurorinë e Posacme

Sipas të dhënave statistikore dhe informacionit nga Prokuroria e Posaçme, nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë transferuar 93 procedime/referime penale në Prokurorinë e Posaçme ose me rritje 45.3% të procedimeve të transferuara krahasuar me vitin 2020, prej të cilave 69 procedime janë pranuar e regjistruar për vepra penale me qëllime terroriste, trafikime të paligjshme dhe vepra penale në fushën e korrupsionit, etj, në kompetencë lëndore të asaj Prokurorie, disa raste nga të cilët, kryerja e hetimeve proaktive ka çuar në zbulimin e ekzistencës së elementëve të formave të veçanta të bashkëpunimit, për kryerjen e hetimeve të mëtejshme nga ajo prokurori në kuadrin e veprimtarisë kriminale të organizuar. E vlerësoj si mjaft pozitiv nivelin e koordinimit mes prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe Prokurorisë së Posacme përgjatë vitit 2021.

VIII) Dekriminalizimi

Prokuroria e Përgjithshme, në zbatim të të gjithë kuadrit ligjor dhe nënligjor në fuqi për dekriminalizmin, ka vijuar punën intensivisht dhe ka trajtuar çdo kërkesë të përcjellë nga institucionet përgjegjëse për verifikim të thelluar të të dhënave të pasqyruara në formularët e vetëdeklarimit nga subjektet të këtij ligji.

  1. Për vitin 2021 janë regjistruar 181 procese të verifikimit të plotë të të dhënave të formularëve të vetëdeklarimit të subjekteve të këtij ligji.

1.1 Nga këto kërkesa për verifikim të plotë të regjistruara më vitin 2021, rezulton se:

– për 58 (pesëdhjetë e tetë) persona, është vendosur mospranimi i kërkesave për mos plotësim të kushteve e kritereve të përcaktuara në ligj;

– për 63 (gjashtëdhjetë e tre) persona, procesi i verifikimit ka vijuar për vitin 2022.

  1. Gjatë vitit 2021, në bazë të kërkesave të regjistruara ndër vite (2016 deri më vitin 2020), janë kryer procese të verifikimit të thelluar të të dhënave në formularët e vetëdeklaruara edhe për 24 (njezet e katër) persona, subjekt të ligjit, nga këto: -për 8 (tetë) subjekte, procesi ka përfunduar dhe janë miratuar rezultatet e verifikimit dhe për 16 (gjashtëmbëdhjetë) subjekte, procesi verifikimit ka vijuar për vitin 2022.

2.1 Shkaku kryesor i mospërfundimit dhe vijimit edhe për vitin 2022 të të gjithë proceseve të verifikimit të të dhënave në formularët e vetëdeklarimit, vazhdon të jenë vonesa në kthimin e përgjigjeve, për informacionin e kërkuar, nga autoritetet e huaja policore dhe gjyqësore, si dhe mungesa e një regjistri të shtetasve shqiptar të dënuar jashtë vendit në zbatim të nenit 29 të ligjit nr.10193/2009 “Për marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja në çështjet penale”, i ndryshuar.

  1. Sipas nivelit hiearkik të funsionarëve publikë, të sjellë për verifikim të të dhënave në Formularët e Vetëdeklaruar, rezulton se janë:

– 83 (tetëdhjetë e tre) subjekte, “Zyrtar i Lartë” ;

– 52 (pesëdhjetë e dy) subjekte, “Nivel Ekzekutiv”;

– 24 (njëzet e katër) subjekte, “Nivel Drejtues”;

– 22 (njëzet e dy) subjekte, “Nivel i Mesëm Drejtues”;

3.1 Për 2 (dy) nga subjektet, gjatë verifikimit të të cilëve janë konstatuar elementë të veprave penale, dhe materiali është dërguar për kompetencë në prokuroritë përkatëse.

  • ZBATIMI I REKOMANDIMEVE PRIORITARE DHE ÇËSHTJE TË TJERA

Prokurori i Përgjithshëm në ndjekje të kërkesave të Rezolutës së Kuvendit e rekomandimeve prioritare të KM, rekomandimeve të BE-së dhe planit të veprimit ICRG/FATF për Shqipërinë, si dhe për problematika të evidentuara përgjatë vitit 2021, ka nxjerrë 10 udhëzime të përgjithshme, dhe 15 urdhra për miratimin e planeve të veprimit apo akte normative të tjera (të trajtuara këto në raportin vjetor), ka mbikëqyrur zbatimin e tyre dhe është kujdesur për ushtrimin e kompetencave kushtetuese e ligjore në prokurori, nëpërmjet raportimeve periodike dhe informacioneve të kërkuara nga drejtuesit e prokurorive lidhur me masat e marra në zbatim të kompetencave ligjore të tyre, si për nxjerrjen e udhëzimeve të përgjithshme për të lehtësuar zbatimin e udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu dhe për nxjerrjen e udhëzimeve jo të detyrueshme apo kërkuar informacion prokurorëve për çështje konkrete, me synim, për të garantuar pavarësinë e prokurorit në ushtrimin e funksioneve dhe të sigurojë efiçencën, ligjshmërinë e transparencën në veprimtarinë e prokurorive që drejtojnë.

Në kuadrin e forcimit të kontrollit dhe llogaridhënies së prokurorit, Prokurori i Përgjithshëm dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit, me nr.248, datë 05 shkurt 2021 “Për kryerjen e inspektimeve institucionale e tematike dhe për shkelje individuale të magjistratëve/prokurorë në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm”. Në kuadrin e zbatimit të kësaj marrëveshje, mbi kërkesën e ILD-së, Prokurori i Përgjithshëm ka kërkuar kryerjen e inspektimeve tematike në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Shkodër e Vlorë.

Përgjatë vitit 2021, pas verifikimeve të kryera nga ana jonë për shkelje individuale të konstatuara në lidhje me katër prokurorë dhe një drejtues prokurorie, është përgatitur materiali dhe i janë dërguar për inicim të procesit të hetimit/inspektimit ndaj magjistratëve Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë

Në kuadrin e forcimit të kontrollit dhe llogaridhënies së oficerëve të policisë gjyqësore të seksioneve pranë prokurorive, dhe bashkërendimit institucional me Komisionin e Policisë Gjyqësore (në vijim Komisioni), Prokurori i Përgjithshëm i është drejtuar katër herë Komisionit për nisjen e procedimit displinor ndaj 6 opgj.

Përgjatë vitit 2021 ky Komision në zbatim të kompetencave sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të oficerëve të policisë gjyqësore, bazuar në propozimet e dërguara nga prokurorët e çështjeve dhe Prokurori i Përgjithshëm, ka zhvilluar procedimin displinor për 10 oficerë të policisë gjyqësore, nga të cilët 7 persona janë oficerë të policisë gjyqësore të shërbimeve në Policinë e Shtetit dhe 3 persona janë oficerë të policisë gjyqësore të seksioneve të prokurorive. Ndërkohë, Komisioni për 8 oficerë të policisë gjyqësore ka vendosur, dhënien e disa masave displinore në raport me shkeljet e kryera, ndërsa për dy oficerë të policisë gjyqësore ka pushuar procedimin displinore.

Nisur nga disa konstatime të bëra gjatë kësaj periudhe të punës së prokurorisë, vlerësoj se rregullimi ligjor aktual vështirëson lidhjen organike efektive mes drejtuesve të prokurorive në prokuroritë e shkallës së parë dhe të apeleve me Prokurorinë e Përgjithshme, në kuptim të ushtrimit të detyrave ligjore dhe kushtetuese, ndërkohë që angazhimet institucionale që dalin nga rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, rekomandimet e Këshillit të Ministrave apo në raportet me organizma të tjerë ndërkombëtarë kërkojnë një nivel më të lartë kohezioni institucional. Gjithashtu, rregullimi ligjor aktual, në procesin e promovimit/caktimit, pezullimit apo shkarkimit të drejuesve të prokurorisë nuk është i qartë dhe nuk parashikon vlerësimin e indikatorëve ligjorë që lidhen me përformancën e drejtuesve të prokurorive dhe marrëdhëniet e drejtuesit të prokurorisë me Prokurorin e Përgjithshëm, si element shumë i rëndësishëm në mbarëvajtjen e punës dhe në ushtrimin e kompetencave kushtetuese e ligjore në sistemin e prokurorisë me juridiksion të përgjithshëm.

Për arsyet më sipër, Prokuroria e Përgjithshme ka përgatitur projekt-propozimin për inicimin e ndryshimeve dhe shtesave në ligjin nr.97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, si dhe ligjeve të tjera të përfshira, si nevojë imediate për të adresuar një sërë problematikash të evidentuara gjatë zbatimit në praktikë të këtij kuadri ligjor të sistemit të prokurorisë, i cili ka për qëllim vazhdimin e implementimit të reformës në prokurori, pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë penale, dhe normalizimin e situatës së krijuar nga boshllëku ligjor, për të shmangur problematikat e evidentuara në përformancën e veprimtarisë organizative dhe administrative të prokurorive me juridiksion të përgjithshëm dhe për të rritur efiçencën dhe performancën në veprimtarinë e tyre.

Duhet shtuar këtu se edhe projekti EURALIUS V, në Raportin Përfundimtar, krahas rekomandimeve për aktivitete të tjera vazhduese, ka rekomanduar “…Rishikimin e kuadrit ligjor që rregullon funksionimin e prokurorisë për t’i mundësuar Prokurorit të Përgjithshëm ushtrimin efikas të funksioneve dhe mbarëvajtjen e punës administrative në sistemin e prokurorisë… ”.

Si konkluzion vlerësoj se organi i prokurorisë ka përmbushur detyrat kushtetuese e ligjore dhe ka ndjekur rekomandimet e rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave, rekomandimet e BE-së dhe planin e veprimit të ICRG/FATF, prioritete kyçe të shtetit shqiptar në kuadër të procesit të integrimit, rritjes së efektivitetit kundër krimit ekonomik dhe krimeve të tjera, duke ndihmuar e kontribuar në forcimin e rendit dhe të sigurisë publike, duke siguruar një procedim të drejtë dhe duke garantuar liritë personale, të drejtat dhe interesat e ligjshme të shtetasve dhe subjekteve të procedimit penal”,-u shpreh Çela.

Pas