Zyrtarët më të lartë të Çekisë kanë refuzuar propozimin e presidentit Millosh Zeman për tërheqjen nga njohja e pavarësisë së Kosovës.
Një muaj më parë më 11 shtator Presidenti çek u shpreh gjatë qëndrimit të tij në Beograd se do të diskutonte me ekspertët kushtetues të vendit të tij, mundësinë e tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës, veprim i cili nuk përkon me postin e tij.
Mësohet se ai e shtroi këtë çështje gjatë një takimi të zyrtarëve më të lartë kushtetues në mesin e të cilëve ishin presidenti, kryeministri, kryetar i dhomave të parlamentit, ministri i jashtëm, ministri i brendshëm dhe i mbrojtjes.
Ministri i Jashtëm çek, Tomáš Petříček u shpreh në përfundim të takimit se qëndrimi i Republikës Çeke për Kosovën nuk ka ndryshuar.
Deklaratat e bëra në Beograd nga presidenti 74 vjeçar nxitën reagime në Çeki, ndërkohë që idetë e tij u cilësuan si joreale.
Çekia e ka njohur Kosovën në maj të vitit 2008./Opinion.al/