Ish-themeluesi i Partisë Demokratike, Neritan Ceka thotë se zgjedhje pa opozitën nuk mund të kryhen, pasi përndryshe vendi rrëshqet në sistem
autokratik. Sipas tij, me sistemin aktual ku KQZ dhe numëruesit janë partiak, askush nuk ka garanci për votën. Madje ai nënvizon se situata
është edhe më keq se para vitit 1990 përsa i përket numërimit të votave.
Në një intervistë për “Shekullin”, Ceka thotë se jo vetëm tani, por është e domosdoshme që krijimi i qeverisë teknike të ndodh për katër legjislaturat e ardhshme, deri sa të vendosen standardet demokratike të mbajtjes së zgjedhjeve. I pyetur mbi pasojat që mund të krijojë situata aktuale politike në vend, ai shprehet se politika duhet të marrë një vendim pasi destabilizimi i Shqipërinë do të thotë një zë të dobët për të gjithë shqiptarët në rajon. Ai flet për rrugët e zgjidhjes së krizës dhe mjetet për të mbajtur zgjedhje të lira dhe ndershme.
Zoti Ceka, prej më shumë se një muaj politika është futur në krizë për shkak të daljes së opozitës nga Parlamenti, ndërkohë janë afër edhe zgjedhjet. Mesazhi i qartë i opozitës është mosmarrja pjesë në zgjedhje nëse nuk krijohet qeveri teknike. Nga ana tjetër kryeministri Rama nuk ka bërë lëshim. Palët politike duken larg një marrëveshjeje. Si e komentoni ju situatën politike dhe çfarë pasojash parashikoni të sjellin këto qëndrime të palëve kryesore në Parlament?
Në fillim dua të them që ato që për të cilat do të shprehem nuk kanë të bëjnë me asnjë forcë politike. Unë jam një qytetar i thjeshtë i Republikës së Shqipërisë, pasi kam mbaruar punën si ambasador i Shqipërisë në Romë dhe nuk kam asnjë angazhim politik. Së dyti, dua të them që kjo situatë vjen nga sistemi zgjedhor, i cili në mënyrë anakronike vazhdon të jetë një sistem partiak ku KQZ caktohet nga partitë politike, komisionet e zgjedhjeve caktohen nga partitë politike dhe gjithë procesi zgjedhor udhëhiqet nga partitë politike. Në parim nuk ka ndryshuar asgjë nga koha e diktaturës në Shqipëri, nga koha e Enver Hoxhës kur komisionarët ishin të caktuar nga Partia e Punës dhe mund të them që ishin më seriozë në numërimin e votave sepse numëroheshin edhe 37 vota që ishin kundra, pavarësisht se procedura e votimit ishte qesharake në zhvillimin e saj. Kjo është një situatë e cila duhet të kishte ndryshuar, sidomos me ndërhyrjen e OSBE-së. OSBE-ja po bën mbi 20 vjet që është aktive në Shqipëri dhe asnjëherë nuk ka vënë gishtin mbi plagën. Duket që ka një heshtje të OSBE. Nuk ka asnjë vend të Europës i cili ruan sistemin komunist të menaxhimit të zgjedhjeve, siç është Shqipëria. Kjo tregon që OSBE ka një konflikt interesi, në kuptimin që nuk është e interesuar për të kaluar jashtë asaj që zgjedhjet janë më të mira se herën e kaluar dhe që do të përmirësohen herën tjetër, në kushtet kur OSBE vazhdon të qëndrojë gjithmonë në Shqipëri. Unë kam bindjen që ka ardhur koha që OSBE-ja e ka konsumuar moralisht funksionin e saj në Shqipëri dhe tani është në konflikt interesi në qëndrimin e saj të mëtejshëm. Së treti unë mendoj që nuk ka dy pozicione, ka më shumë se dy pozicione. Çështja nuk është midis maxhorancës dhe opozitës, apo minorancës dhe pushtetit, por është një çështje midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve. Zgjedhësit, ku jam edhe unë, kërkojmë që votat të numërohen më mënyrë të ndershme. Nuk na intereson shumë se cila parti politike fiton. Ne na intereson që votat e qytetarëve shqiptarë t’i numërojnë
duar të pastra dhe që rezultati të jetë ai që është shumatorja e të gjitha votave të shqiptarëve, gjë që praktikisht nuk po ndodh.
Është bërë një propozim për të minimizuar cenimin e rezultatit të zgjedhjeve me anë të numërimit dhe votimit elektronik. Mendoni se ka
ardhur koha që përfundimisht teknologjia t’i jap standard tjetër zgjedhjeve në vend?
Së pari dua të them që ka pozicione të ndryshme sepse data po afron, është data 10 prill për regjistrimin e partive dhe është data 19 prill për regjistrimin e koalicioneve. Pra, jemi në mungesë kohe dhe në këtë drejtim ka qëndrime të ndryshme. Është qëndrimi, që do të ta konsideroja intransigjentë nga të dy paritë e mëdha politike, por ka edhe qëndrimet të cilat propozojnë një zgjidhje, nuk e bllokojnë situatën. LSI ka dy opsione shumë interesante. Ajo thotë që zgjedhje pa opozitën nuk bëhen, që besoj se është ajo që duan gjithë shqiptarët. Së dyti thotë të ulemi në tryezë. Po ashtu ka pasur një deklaratë shumë interesante të kreut të PDIU-së i cili nxjerr po ashtu disa propozime plotësuese të kuadrit të përgjithshëm. D.m.th që kjo zgjidhje të bëhet pjesë e Kushtetutës, që të hiqen partitë politike nga numërimi i votave, që mund të ketë një zgjidhje pjesore përkohësisht nëse mund ta quajmë kështu, që votimi bëhet siç është bërë edhe një herë tjetër ose për të paktën një pjesë të Shqipërisë, dhe numërimi të bëhet elektronik që eviton një pjesë të pazareve, që bëhen në komisione gjatë numërimit dhe ky është një nga pikat më të dobëta të sistemit që kemi.
Opozita këmbëngul për qeveri teknike për të shkuar në zgjedhje. E konsideroni të drejtë kërkesën e saj?*
Ka një precedent me zgjedhjet e vitit 1997, që ka qenë një precedent pozitiv. Do të them që është propozuar pak me vonesë sepse duhet të ishte futur në paketën kushtetuese, të ishte një nen transitor, kalimtar i Kushtetutës që për katër regjistraturat e ardhshme, një muaj e gjysmë ose tre muaj para zgjedhjeve të kalohet automatikisht në një qeveri teknike por kjo duhet të paracaktonte mandatin e Parlamentit, i cili edhe tani është tej zgjedhjeve, sepse Parlament shpërndahet një muaj para zgjedhjeve por ekziston deri në shtator kur mblidhet Parlamenti tjetër. Pra ka një mandat shumë më të zgjatur se sa mund ta kenë vendet e tjera. Kështu do të kishte mundësi që të normalizohej puna që në fillim. Tani e vënë në këto kushte natyrisht që do të ketë argumente juridik të tillë që do ta vështirësojnë konsensusin por megjithatë mendoj që ka ardhur koha që për katër legjislaturat e ardhshme të bëhet një ndryshim i tillë kushtetues. Nuk mendoj se është një kusht i panegociueshëm. Ka një precedent dhe krijon një perspektiv nga e cila përfitojnë ose humbin gjithë partitë, jo vetëm ai që ka pushtetin sot.
Ka një propozim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve
Edhe kjo ka ndodhur dhe nuk bën ndonjë ndryshim të madh. Zgjedhjet mbahen në qershor dhe Parlamenti mblidhet në javën e dytë të shtatorit. Pra, është një kohë hapësirë e cila nuk shërben për asgjë, veç për pushimet e atyre që janë lodhur nga zgjedhjet. Kështu që edhe nëse do të mbahen në shtator zgjedhjet, nuk do të ndodh ndonjë tragjedi të madhe.
Si do të ishin zgjedhjet pa opozitën, pasi kryeministri Rama ka deklaruar se do të shkojë në zgjedhje qoftë edhe vetëm, pa aleatët?*
Zgjedhje pa opozitë populli shqiptar nuk duhet të mbajë për arsyet që kemi vuajtur 40 vjet pa opozitë. Qytetari nuk voton për parti, qytetari voton për pushtetin. Nuk mund të shkojë edhe një herë tjetër vendi drejt pushtetit monokratik, autokratik. Këtë e kemi provuar edhe në ’96. Në 96 PD hyri në zgjedhje e vetme, nuk i numëroi votat, dhe brenda pak muajve e çoi vendin në katastrofë. Besoj se mjafton kjo përvojë për të mos e
përsëritur.
*Si mund të zgjidhet kjo krizë politike që është sot brenda afateve të caktuara në ligjin zgjedhor?*
Mendoj që do të jenë shumë të rëndësishëm ato faktorë që janë nënvlerësuar gjithmonë në Shqipëri. Do ju kujtoj që kriza e viteve 1997 u zgjidh nga Aleanca Demokratike, e cila ishte një parti e cila kishte vetëm dy deputetë në Parlamentin që pasoi sepse përpara kishte 3-4 deputetët që u shkëputën nga PD. Në ‘96 nuk pati asnjë deputet por në ‘97 luajti rolin kryesor në zgjidhjen e krizës që ishte shumë më e rëndë se sa kriza e sotme. Për situatën tani mendoj që hapi i parë është ulja në tryezë pastaj Parlamenti do të jetë një Parlament i një vështrimi tjetër, jo parlamenti i shereve edhe i mos hapjes së rrugës njëri-tjetrit. Parlamenti duhet të vendos që opsioni i vetëm është të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme.