Johann Wadephul, nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, në një intervistë për Deutsche Welle ka folur për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe situatën politike në vend. Wadephul ka thënë se nëse sipas raporit të Komisionit të BE-së Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, Bundestagu do të votojë pro.
“Ne jemi në pritje të rekomandimit të Komisionit të BE-së dhe ky do të na vijë pas zgjedhjeve evropiane. Por parimisht u kemi thënë të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor se janë pjesë e Evropës dhe se e kanë vendin në Bashkimin Evropian. Dhe, nëse Shqipëria i përmbush kushtet për çeljen e negociatave, edhe ne do ta japim votën tonë pozitive në Bundestagun gjerman, duke i mundësuar qeverisë gjermane që të votojë në nivel europian. Duhet të presim njëherë raportin e Komisionit të BE-së. Unë konstatoj se bëhen përparime, por ka ende për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit të së drejtës. Sot e kam të vështirë të jap një vendim. Prandaj them se duhet të ecet përpara. Kush dëshiron të hyjë në BE, duhet të afrohet me standardet europiane, dhe kjo nuk ka ndodhur ende në atë masën që ne e konsiderojmë të duhur. Por ka shumë shanse që të arrihet”, ka thënë ai.
Në lidhje me krizën politike, Wadephul është shprehur se forcat pro-europiane në Shqipëri duhet të gjejnë gjuhën e përbashkët të dialogut. Ai ka dhënë edhe një mesazh për Partinë Demokratike, pjesë e Partive Popullore Europiane.
“Nuk do të dëshiroja të ndërhyja në raportet personale të PD-së në Shqipëri. Por dëshiroj ta inkurajoj atë të marrë pjesë në proceset politike. Ne nuk mund ta sjellim Shqipërinë në Bashkimin Evropian nëse forcat pro-evropiane qofshin ato pro-Rama, qofshin pro-Basha, janë në konflikt me njëra-tjetrën. Duhet bërë një afrim në një farë mënyre. Sesi do të arrihet kjo, kjo do të vendoset në Shqipëri. Unë mund të them në drejtim të partisë simotër: mos u mbyllni përgjithmonë: Kush kalon portën për të dalë jashtë, duhet ta kalojë atë sërish për të hyrë brenda. Demokraci do të thotë komunikim, grindje, por edhe aftësi për kompromis. Pa kompromis nuk ka demokraci”, është shprehur për Deutsche Welle./Opinion.al