Bundestagu Gjerman shtyu votimin për emërimin e tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese Federale të premten, pas një kërkese të diskutueshme nga partia Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) e KancelaritFriedrich Merz për të shtyrë votimin për vetëm një kandidat.
Blloku konservator, i përbërë nga CDU dhe partia e saj simotër bavareze, Bashkimi Kristian Social (CSU), kërkoi shtyrjen e votimit për emërimin e Frauke Brosius-Gersdorf-it, për shkak të dyshimeve për plagjiaturë. Kandidatura e Brosius-Gersdorf-it u propozua nga Partia Socialdemokrate (SPD), partnerja e vogël në koalicionin qeveritar.
Konservatorët kishin shprehur edhe më parë skepticizëm në lidhje me qëndrimin liberal të Brosius-Gersdorf-it mbi abortin dhe mbështetjen e saj për vaksinimin e detyrueshëm gjatë pandemisë COVID-19.
Vendimi i partive unioniste për të shtyrë votimin shkaktoi zemërim te të Gjelbrit dhe SPD, të cilët thanë se kjo dëmtonte legjitimitetin e gjykatës.
Si rezultat, Partia e Gjelbër kërkoi shtyrjen e votimit për tre gjyqtarët.
Zhvillimet konkrete në Bundestag
Blloku konservator në pushtet, i cili kishte propozuar nga ana e tij gjyqtarin e Gjykatës Federale të Punës Günter Spinner, vendosi të shtyjë votimin për kandidaten e SPD-së, duke përmendur dyshimet për plagjiaturë. Konservatorët e konsiderojnë Brosius-Gersdorfin të diskutueshme për qëndrimin e saj liberal mbi abortin.
Drejtueset e Partisë së Gjelbër në Bundestag, Britta Hasselmann dhe Katharina Dröge, thanë se ishte e papranueshme dhe mungesë respekti të shtyhej votimi vetëm për Frauke Brosius-Gersdorf.
“Është e turpshme që për një kandidat të shpifet hapur dhe të baltoset në këtë mënyrë”, tha Hasselmann. “Kjo prek integritetin e gjykatës sonë më të lartë”.
Që gjyqtarët të zgjidhen në gjykatën më të lartë, kërkohet një shumicë prej dy të tretash të votave. Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) kishte thënë se do të mbështesë Spinnerin, por jo kandidatët e SPD-së.
Konservatorët mund të mbështeten në votat e AfD-së për zgjedhjen e kandidatit të tyre, pasi deri tani kanë refuzuar bisedimet me Partinë e Majtë. Megjithatë, votat janë të fshehta, kështu që nuk do të jetë e qartë nëse do të jenë votat e AfD-së ato që do t’i japin Spinnerit fitoren.
Me seli në qytetin jugor gjerman të Karlsruhe-s, Gjykata Kushtetuese Federale zbaton Kushtetutën e vendit, të njohur si Ligji Themelor./dw