Kompania gjermane Rheinmetall, një furnizues i sistemeve për industrinë e mbrojtjes, do të marrë pjesë në ndërtimin e dy fabrikave në Bullgari, njoftoi drejtori i saj, Armin Papperger, të hënën. Njëra prej fabrikave do të jetë për prodhimin e barutit, ndërsa tjetra për predha artilerie.
Lajmi u bë i ditur nga Papperger gjatë një takimi të tij me liderin e partisë Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB), njëherësh ish-kryeministrin Boyko Borisov, në Dyzeldorf, vetëm disa ditë para vizitës së presidentit bullgar, Rumen Radev, në Gjermani.
Fabrikat do të jenë projekt i përbashkët i kompanisë gjermane Rheinmetall dhe ndërmarrjes shtetërore bullgare Vazovski Mashinostroitelni Zavodi (VMZ).
Investimi do të ketë një vlerë të përgjithshme prej mbi 1 miliard eurosh, tha të hënën drejtori i Rheinmetall-it, Papperger, pa saktësuar se sa nga kjo shumë do ta mbulojë kompania gjermane.
“Ky është vetëm fillimi i një bashkëpunimi shumë të suksesshëm në të ardhmen”, shtoi Papperger.
Lajmi vjen disa muaj pasi u përfol për një investim të mundshëm të Rheinmetall-it në Bullgari. Në mars, Papperger dhe përfaqësues të tjerë të kompanisë vizituan vendin dhe u takuan me presidentin Radev dhe kryeministrin Rosen Zhelyazkov. Borisov, i cili nuk mban ndonjë post në qeveri, më pas njoftoi për një vizitë të tij në Gjermani, ku u takua me drejtuesit e kompanisë.