Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për të pritur një samit midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, si pjesë e kërkimit të një zgjidhjeje paqësore për luftën në Ukrainë.
Duke folur me gazetarët pas kthimit të tij nga një turne në shtetet e Gjirit, Erdogan theksoi se “rëndësia e Turqisë dhe Stambollit në vizionin e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit në Ukrainë është bërë e qartë edhe një herë”.
“Ne jemi të gatshëm të organizojmë negociata për Ukrainën në çdo kohë. Është për të ardhur keq që takimi në Budapest nuk u zhvillua. Ne besojmë se çdo dialog mund të kontribuojë në përfundimin e kësaj lufte. Që nga fillimi, ne e kemi mbështetur këtë perspektivë, kemi punuar në këtë drejtim dhe kemi kërkuar një paqe të drejtë”, tha presidenti turk.
Erdogan shtoi se Ankaraja “mban marrëdhënie të mira me të dyja palët”. “Ne jemi një vend që ka fituar besimin si të Moskës ashtu edhe të Uashingtonit. Kjo na jep një avantazh në rrugën drejt paqes dhe ne jemi të vendosur ta përdorim këtë pozicion për të mirën e njerëzimit”, nënvizoi Presidenti turk.
Në të njëjtën kohë, Erdogan njoftoi se Turqia do të bashkëpunojë me vendet e Gjirit Persik në rindërtimin e Rripit të Gazës, i cili ka pësuar shkatërrime të gjera.
“Rindërtimi i Gazës nuk është një detyrë e lehtë. Së bashku me vendet e tjera, kryesisht nga Gjiri Persik, shpresojmë të ndërmarrim këtë hap“, u tha ai gazetarëve.
“Sulmet izraelite për fat të keq kanë shkatërruar infrastrukturën e Gazës. Tani nevojitet punë serioze. Makineritë e ndërtimit do të përdoren së pari dhe më pas do të merren masa për të rivendosur infrastrukturën bazë. Gaza ka vuajtur mizori që janë turp për të gjithë njerëzimin për shumë vite. Ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar një të ardhme dinjitoze dhe të begatë për vëllezërit dhe motrat tona në Gaza. Turqia do të bëjë çdo përpjekje për të arritur këtë qëllim, duke shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e saj“, tha ai, sipas rrjetit televiziv NTV.

















