Shtatë shqiptarë janë arrestuar ditën e sotme nga policia angleze në një anije mallrash në brigjet e Dorset në Britaninë e Madhe.
Zëdhënësi i policisë së Dorset u shpreh se operacioni i cili përfundoi me arrestimin e shqiptarëve, u krye pas një telefonate që kërkoi ndihmë rreth orës 05:40 të së martës.
‘Ne morëm një telefonatë rreth orës 5.40 të së martës nga shërbimi i ndihmës së shpejtë në lidhje me një person që thuhet se kishte nevojë për kujdes mjekësor në bordin e një anijeje tregtare, të quajtur Chise Bulker, në brigjet e Portland”.- u shpreh një zëdhënës nga Policia e Dorset.
Policia bën me dije se deri më tani nga hetimet paraprake nuk ka asnjë tregues se shqiptarët e arrestuar u përpoqën të merrnin kontrollin e anijes megjithëse kapiteni që kërkoi ndihmë u dëgjua duke qarë.
Ndërkaq, sipas mediave të huaja anija duhej të mbërrinte në Portland rreth orës 4 të mëngjesit dje pasi u ngarkua në Portin e Rouen më 3 Shkurt. Ajo u soll sot në port në orën 13:00 më shumë se 24 orë pasi kërkoi ndihmë për herë të parë./Opinion.al