Mbi 430 mijë vetë i janë shtuar listës së votuesve në referendumin për qëndrimin ose jo të Britanisë në BE, i parashikuar për më 23 qershor.
Të dhënat janë publikuar nga mediat britanike, sipas të cilave regjistrimi është bërë rreth dy orë para skadimit të afatit, i shtyrë nga komisioni elektoral britanik.
Zgjatja e afatit të regjistrimit, fillimisht i caktuar deri në orën 23:59 të së martës, nuk bind gjithsesi për një përforcim të mundshëm të euroskeptikëve.
Përkundrazi, Arron Banks, bashkëthemelues i një prej platformave anti-BE, ka ngritur dyshime se shtyrja mund të jetë bërë me qëllim shtimin e mbështetësve të BE’së. Duke e cilësuar këtë veprim jokushtetues, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë e një padie ligjore, transmeton Tch.
Sipas disa analistëve, ata që janë regjistruar në momentin e fundit janë kryesisht të rinj, një segment elektoral që sipas sondazheve mbështet frontin europian.