Kolegë, anëtarë të shoqërisë civile, profesorë, qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm kanë dalë në protestë para Kryeministrisë, pas sulmit me armë në banesën e prindërve të gazetares Klodiana Lala.
Ata bëjnë thirrje që të zbardhet sa më shpejt ngjarja dhe të vihen para drejtësisë autorët e këtij krimi.
Gazetarët janë shprhur se Klodiana Lala, nuk është vetëm dhe plumbat e shkrepur në banesën e saj, janë plumba për të gjithë gazetarët.
Një nga gazetarët më të vjetra, kryeredaktorja e emisionit ‘Opinion’ në Tv Klan, Desada Metaj deklaroi se sulmi ndaj Klodiana Lalës është një ngjarje e rëndë, por që do kërkonte më shumë vëmendje nga gazetarët dhe shoqëria shqiptare. Metaj tha se kjo është protesta e dytë që kolegë gazetarë bashkohen kundër dhunës ndaj njerëzve të medias.
Gazetarja Klodiana Lala ka qenë objekt i një sulmi kërcënues me armë i cili dyshohet të ketë ndodhur për shkak të detyrës.
Në orët e para të mëngjesit persona ende të paidentifikuar nga uniformat blu kanë hapur zjarr me breshëri në drejtim të shtëpisë së prindërve të gazetares, ku ndodheshin familjarë të Lalës.
Vetë gazetarja në një postim në rrjetin social Facebook ka deklaruar se ajo dhe të afërmit e saj nuk janë të përfshirë në asnjë konflikt personal dhe se dyshon se “sulmi vjen si rezultat i punës së saj si gazetare”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i shoqatave të gazetarëve. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka denuar ashpër sulmin e kryer në banesën e reporteres, ndërsa theksoi se çdo vonesë në hetime ndikon në acarimin e klimës së lirisë së shprehjes në Shqipëri:
“UGSH i bën thirrje Policisë së Shtetit që urgjent të hetojë ngjarjen dhe të dërgojë autorët para drejtësisë, pasi çdo vonesë do të ndikojë edhe më shumë në acarimin e klimës së lirisë së shprehjes në Shqipëri.
Policia nuk duhet të merret me detaje që çorodisin më shumë opinionin por të gjejë autorin ose autorët e kësaj ngjarjeje shumë të rëndë.
Kur sulmohet lajmësi, rrezikohet rëndë një nga të drejtat themelore kushtetuese.
UGSH është në kontakt intensiv me organizmat ndërkombëtare në Shqipëri për të kërkuar një angazhim sa më aktiv në mbrojtje të gazetarëve. Ne u bëjmë thirrje institucioneve shqiptare që nga Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe veçanërisht Ministria e Brendshme të reagojnë menjëherë duke dënuar ashpër sulmin dhe të merren në mbrojtje reporterët.”
Reagimet për këtë ngjarje të rëndë kanë ardhur edhe nga Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës, Lulzim Basha, që kanë dënuar sulmin.
Përmes një komunikate për mediat kreu i shtetit i beri thirrje organeve të sundimit të ligjit të hetojnë në mënyrë të plotë dhe shteruese këtë ngjarje të rëndë, e të vënë para ligjit këdo që qëndron pas saj, pasi liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”.
Ndërsa kreu i qeverisë Edi Rama në një postim në rrjetin social Twitter e përkufizoi sulmin si “një akt të patolerueshëm barbar”. Ai i bëri thirrje autoriteteve për të zbardhur sa më parë këtë ngjarje të rëndë.
E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala! Ngjarja duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht. Mbështes e inkurajoj Klodianën në këtë moment kritik dhe pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve.
Nga ana tjetër, kryeopozitari Lulzim Basha e ka cilësuar sulmin si një mesazh mafioz. Sipas tij mesazhi është i qartë, kush shqetëson qeverinë e ka fundin e shpejtë.
Sulmet dhe rastet në rrijte të dhunës fizike ndaj reporterëve janë evidentuar edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit në kapitullin për Shqipërinë.
Në këtë dokument shprehej shqetësimi për disa raste konkrete kur gazetarët janë dhunuar fizikisht. Ato citonin incidentin me drejtuesin e portalit citynews.al, Elvi Fundo, i cili u godit me mjete të forta nga persona të paidentifikuar, por dhe dhunën e ushtruar nga gazetarit të sportit Eduard Ilnica.