Të shtëna me armë janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Selenicë të Vlorës.
Mësohet se, është qëlluar disa herë me armë në drejtim të banesës së 26 vjeçarit Xhulio Mara.
Pas atentatit, i riu është shprehur se nuk ka konflikte dhe nuk dyshon tek asnjë si autor i atentatit ndaj tij. 26-vjeçari është në detyrën e shefit të shërbimeve publike në Bashkinë e Selenicës
“Jam i habitur. Nuk di kujt t’ia vendos gishtin. Nuk kam as konflikte, as borxhe, asgjë që mund të jetë arsye për këtë ngjarje,”-tha ai.
Në momentin e atentatit në banesë ishte vëllai i tij binjak dhe dy prindërit. Plumbat janë qëlluar në oborr dhe në derën e banesës.
Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar, ndërkohë, një grup hetimor po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorit.
Njoftimi i policisë
Më datë 21.05.2019, rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në pjesën e jashtme të murit të banesës së 26 vjeçarit Xh.M, në Selenicë.
Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku po kryen veprimet e mëtejshme hetimore në lidhje me identifikimin dhe kapjen e autorit.