Bovilla, e panjohur për potencialin arkeologjik

“Bovilla është e njohur si destinacion turistik, por e panjohur për një potencial të madh arkeologjik që ajo mbart.

Objektet arkeologjike tregojnë për një vendbanim që i takon mesjetës së hershme”, raporton gazetarja e Tv Klan, Anisa Krraba.

“Shumë pak e dinë që këtu në Bovillë ka të dhëna për një vendbanim që i takon mesjetës së hershme apo periudhës së Arbërit”, shprehet Suela Xhyheri, arkeologe.

Ndërsa nga gërmimet arkeologjike, pritet të faktohet që ky mund të jetë vendbanimi më i madh sa i takon kësaj periudhe në periferinë e Tiranës.

“Vendbanimi i Bovillës ka nga 12-14 tarraca. Tirana nuk është shumë e njohur nga ana arkeologjike, sidomos periferitë e qytetit”, tha Xhyheri.

Një tjetër vendndodhje ku do të kryhet sondazhi arkeologjik ndodhet pikërisht këtu pas meje, në rrënojat e asaj që mendohet se ka qenë Manastiri i Shën Mërisë, një prej manastirëve më të rëndësishëm të zonës së Tiranës.

“Janë gjurmët e një manastiri, kushtuar Shën Mërisë, rrënojat e të cilit, gjenden mbi këtë tarracë”, tha arkeologia.

Të dhënat e deritanishme tregojnë që ndërtimet kanë qenë të thjeshta, po aq e thjeshtë dhe gati e varfër ka qenë edhe ekonomia për këtë vendbanim, që reflektohet nga qeramikat e gjetura.

“Bëhet fjalë për kasolle. Ne kemi arritur të identifikojmë qeramikën. Këtu kemi një fregment të një ene, diku tek shekulli VII, deri në shekullin XI”, tha arkeologia.

Gjithsej këtu në Bovillë do të kryhen 3 sondazhe arkeologjike.

“Sondazhi i tretë, do të jetë në krah të ballkonit panoramik, ku është e dukshme një strukturë muri e cila zbret drejt digës dhe kjo është një nga ndërtimet më interesante”, tha arkeologia.

Kërkimi arkeologjik do të nisë në vjeshtë gjatë një periudhe 5-vjeçare, ku pjesë e tij do të jetë edhe rilevimi i dy shpellave remite që e pasurojnë kulturën shpirtore dhe historike të Bovillës.

Tv Klan




Ju sugjerojmë

Para















TE FUNDIT