Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, konfirmoi gatishmërinë e vendeve anëtare të bllokut evropian për të ndërmarrë masa të reja të mëtejshme, nëse nuk ka përparim në drejtim të shtensionimit të situatës në veri të Kosovës, veçanërisht sa i përket organizimit të zgjedhjeve të reja në katër komunat në këtë zonë, shkruan Radio Europa e Lirë.
“Vetëm ato [shtete anëtare] mund ta bëjnë këtë gjë. Masat do të godasin aspektet politike dhe ekonomike të marrëdhënieve tona. Dhe si ta bëjmë atë? Ne po punojmë në mënyrë shumë të strukturuar dhe do të fillojmë të shikojmë se çfarë masash mund të merren në rast se përfundimisht nuk arrijmë një marrëveshje për shpalljen e zgjedhjeve”, tha Borrell pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së.